LAJMET E MBRËMJES

Kryeministri Kurti e quan manovër të Serbisë çështjen e targave

Pas vendimit të Serbisë për të lejuar në territorin e saj lëvizjen e automjeteve me targa të Kosovës, një hap të tillë e ka marrë edhe Qeveria e Kosovës për automjetet me targa të Serbisë. Duke komentuar këtë vendim, kryeministri Kurti ka thënë se çështja e targave fillimisht ishte përdorur nga Serbia për ta kërcënuar Kosovën e rajonin, pastaj për të maskuar përgjegjësinë e tyre lidhur me sulmin terrorist në Banjskë e më vonë edhe për të ulur presionin nga Perëndimi për zgjedhjet e manipuluara e jodemokratike në Serbi. E situata e re, sipas Kurtit, i shërben lëvizjes së lirë e të lehtësuar ndërmjet dy shteteve

Veprimin e Serbisë për të njohur targat e Kosovës kryeministri Albin Kurti e ka quajtur manovër të një pushteti, siç ka thënë, jodemokratik për mbijetesë vetjake. Nëpërmjet një statusi në Facebook, Kurti ka theksuar se Serbia e ka bërë këtë hap për të mbuluar refuzimin e marrëveshjes së arritur në Bruksel.

Megjithatë, edhe Qeveria e Kosovës të enjten ka marrë vendim që t’i lejojnë automjetet me targa të Serbisë të qarkullojnë në territorin e Kosovës pa letra ngjitëse.

“Në mbledhjen e fundit të Qeverisë për vitin 2023, mbajtur më 27 dhjetor, pata kërkuar raportim lidhur me zbatimin e vendimit nga autoritetet e Serbisë për lejimin e lëvizjes së lirë të automjeteve me targa RKS në territorin e Serbisë nga data 1 janar 2024. Nga raporti i Policisë sonë, e cila ka monitoruar gjithçka me shumë vëmendje jemi njoftuar që kemi zbatim të plotë dhe se nuk ka pasur incidente a pengesa. Andaj bazuar në parimin e reciprocitetit si një premisë e rregullimit të marrëdhënieve të shteteve të pavarura, mbrëmë morëm vendim që njësoj të lejohen edhe automjetet që vijnë nga ana tjetër e kufirit me targa të Serbisë”, ka shkruar Albin Kurti në Facebook.

Ky vendim, sipas tij, nis të zbatohet me t’u publikuar në Gazetën Zyrtare dhe se kjo situatë e re, Kurti ka thënë se, i shërben lëvizjes së lirë e të lehtësuar ndërmjet dy shteteve.

“Por ky vendim fillimisht po vjen pas përdorimit dyvjeçar të çështjes së targave si pretekst nga ana e Serbisë për të tensionuar situatën e sigurisë në veri të vendit tonë; dhe, tash së fundmi, si përpjekje për të ulur kritikat nga bashkësia ndërkombëtare mbi Serbinë pas parregullsive dhe mashtrimeve në zgjedhjet e 17 dhjetorit atje (sidomos në Beograd)”, ka shkruar tutje kryeministri Kurti. “Çështja e targave në Kosovë në shtator të vitit 2021 përdorej për të kërcënuar Kosovën e rajonin edhe përmes aeroplanëve rusë Mig-29 të ngritur në qiell përreth kufirit dhe duke tentuar destabilizim në veri të vendit veçanërisht nëpërmjet 16 barrikadave të cilat ishin ngritur rrugëve të katër komunave veriore për tri javë rresht në dhjetorin e vitit 2022. Kurse në dhjetorin e vitit që porsa lamë pas (2023), ky vetëdisiplinim i Serbisë përdoret për të ulur presionin nga Perëndimi demokratik (Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar) mbi Serbinë për zgjedhjet e manipuluara e jodemokratike”.

Kryeministri i Kosovës e ka lidhur vendimin e Serbisë edhe për të mbuluar refuzimin zyrtar të Marrëveshjes Bazike të Brukselit që i ka bërë letra e kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq drejtuar Këshillit të BE-së më 13 dhjetor e për të maskuar përgjegjësinë e tyre lidhur me sulmin terrorist e kriminal në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023.

“Kështu duhet të lexohet ky veprim i Serbisë: manovër e një pushteti jodemokratik për mbijetesë vetjake. Gjatë gjithë kësaj kohe, qëndrimi ynë për sa i përket çështjes së targave ka qenë i mbështetur në parimin e reciprocitetit, të standardeve ligjore të Bashkimit Evropian që rregullojnë lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe të automjeteve. Do të vazhdojmë të jemi parimorë dhe konstruktiv”.

Këtë hap të dyanshëm për të qarkulluar automjetet e dy vendeve pa letra ngjitëse e ka mirëpritur edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

“S’ka më letërngjitëse në targa kur udhëtoni nga Kosova në Serbi – dhe anasjelltas. Një hap më shumë drejt realitetit ku Serbia de facto e njeh Kosovën si shtet dhe kontribuon në paqen dhe prosperitetin në rajon”, ka shkruar ajo në platformën X.

Edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar mbi vendimin. Ai ka mirëpritur vendimet e qeverive të të dyja vendeve për heqjen e “regjimit të leterngjitëseve”.

Qeveria e Kosovës ka vendosur në një mbledhje elektronike të enjten që të largohen letërngjitëset nga veturat me targa të Serbisë. E, në fund të dhjetorit Serbia vendosi që nga 1 janari t’i njohë targat RKS dhe të lejojë lirshëm qarkullimin e tyre pa u vendosur letra.

Kurti ka paralajmëruar veprime reciprociteti në rast se Policia e Kosovës pranon raportime nga terreni për ndryshim të qasjes a sjelljes nga autoritetet e Serbisë për lejimin e lëvizjes së lirë të automjeteve me targa të Republikës së Kosovës në territorin e Serbisë apo pengimin e lëvizjes së lirë në çfarëdo forme.