Dy ndërtesa të banimit kolektiv në kryeqytet janë shkyçur të mërkurën nga rrjeti i ujësjellësit, nën arsyetimin se ilegalisht janë kyçur në rrjet. Në kompaninë rajonale të ujësjellësit “Prishtina” thanë se do të largojnë nga rrjeti të gjithë konsumatorët që nuk paguajnë.
Pesë vjet ka pritur kompania rajonale e ujësjellësit “Prishtina” që të shkëpusë nga kyçja ilegale këtë objekt banesor që gjendet në “Rrugën e Bledit”, banorët e së cilës kanë shfrytëzuar ujin me vite pa e paguar.
Përfaqësues të kompanisë rajonale arsyetuan aksionin e shkyçjes, në të cilin asistoi policia.
“5 vjet ka shfrytëzuar ujin e ujësjellësit dhe pas dhjetëra vërejtjeve që ne i kemi dërguar nuk kanë dashur fare të dëgjojnë për këtë punë. Këta nga sot janë të shkyçur. Nuk mund të rikyçen pa i plotësuar të gjitha kushtet për legalizim të ujëmatësve dhe të objektit të tyre”, ka theksuar Arjeta Mjeku, zëdhënëse e kompanisë.
Banorët e këtij objekti u shprehën të shqetësuar në momentin kur kuptuan se mbetën pa ujë, dhe thanë se ka kohë që kanë bërë edhe ata kërkesat për kyçje legale.
“Ujë. Si të mos ketë ujë, unë …… pa ujë, problem……”, ka theksuar një banore.
Fatin e njëjtë e patën edhe banorët e një objekti tjetër të banimit kolektiv, që i përket kompanisë “Alko Group”.
Përfaqësues të kompanisë rajonale thanë se u janë dhënë paralajmërime dhe afate të mjaftueshme banorëve.
Në këtë objekt, përveçse nuk ka regjistrim të konsumatorëve, u evidentuan edhe probleme të tjera.
“Nuk e ka pusetën sipas standardeve, qysh është e paraparë. Në këtë rast ky edhe nëse bën legalizim, kushtet teknike nuk i ka të plotësuara dhe për këtë arsye shkyçet deri në plotësimin e kushteve teknike qysh është e paraparë me pëlqimet që i marrin paraprakisht prej ujësjellësi”, Gazmend Behluli, u.d. i menaxherit për kontroll dhe shkyçje në KRU “Prishtina”.
Në “Alko Group” thanë se të gjitha orët janë të vendosura sipas standardeve dhe se nuk ka pasur keqpërdorim të ujit.
“Mbrëmë kemi marrë informata nga banorët për shkyçje nga KRU, sot në mëngjes përgjegjësi ynë ka shkuar në KRU për të marrë informata se pse kanë ardhur te ky vendim. Ata kanë kërkuar pëlqimin që ata vetë e kanë lëshuar kur kemi aplikuar për leje ndërtimi. Ne, brenda pak minutave e kemi dërguar dhe na kanë thënë që gjithçka është në rregull dhe i ka thirrur zyrtarja para përfaqësuesit tonë dhe i ka thënë me anulu shkyçjen, mirëpo ata pas 3-4 ore kanë dalë dhe e kanë shkyçë”, thuhet në përgjigje.
Në kompaninë rajonale të ujësjellësit “Prishtina” vlerësuan se këto janë dy prej shkyçjeve ndër më të mëdhatë deri më tash.
Me kyçje ilegale llogaritet të jenë afërsisht edhe rreth 30 objekte të tjera të banimit kolektiv në kryeqytet.