LAJMET E MBRËMJES

Krizë me energjinë elektrike, KEDS e KESCO apelojnë për kursim

KESCO e KEDS kanë bërë apel te qytetarët për kursim të energjisë elektrike, pasi thonë se gjatë këtij muaji konsumi ka arritur nivele historike. Kanë njoftuar se që nga fillimi i dhjetorit, Kosova ka importuar 35 milionë euro energji elektrike. KOHA mëson se njëri nga blloqet e termocentralit “Kosova A” është jashtë funksionit prej fillimit të këtij muaji. Ndërkohë që qytetarë në shumë komuna janë ankuar për ndërprerje të energjisë

Vetëm gjatë muajit dhjetor Kosova ka importuar energji elektrike në vlerë mbi 35 milionë euro, për çka KEDS dhe KESCO kanë bërë apel për kursim. 

Në një komunikatë të përbashkët të lëshuar të hënën nga këto dy kompani, thuhet se piku i konsumit ka arritur në 1500 megavatë për orë.

“Shpenzimi i tillë nuk është shënuar asnjëherë më parë në historinë e furnizimit me energji elektrike. Deri te kjo situatë ka ardhur pasi një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve janë duke u ngrohur me energji elektrike. Kjo ka bërë që disa pjesë të vendit të mbingarkohen tej mase, duke rrezikuar edhe djegien e aseteve të rrjetit distributiv. Në të njëjtën kohë, pasi prodhimi vendor nuk po mjafton as përafërsisht që të mbulohet kjo kërkesë, po importohet një sasi e konsiderueshme e saj me çmime dukshëm më të larta se ato nga prodhimi vendor”.

Derisa kërkesa për energji shkon deri në 1500 MgW/h, prodhimi vendor është afro 750 MgW/h.

Burimet e KOHËS kanë bërë të ditur se blloku A5 i termocentralit “Kosova A” nuk po prodhon energji që nga fillimi i dhjetorit. Ky bllok, kur është në funksion, prodhon deri në 120 MgW/h energji.

E, gjatë muajit probleme ka pasur edhe në bllokun A3 dhe B2. 

Gjatë javës së fundit fshatra e lagje nga shumica e komunave të Kosovës janë përballur me mungesë të energjisë.  

Të hënën në Malishevë disa qytetarë protestuan para zyrave të KESCO-s. 

E, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka thënë se ka kërkuar nga KEDS-i zgjidhje sa më të shpejtë lidhur me këtë çështje.

“Është i papranueshëm furnizimi jo i rregullt me energji elektrike në Komunën e Vitisë, gjatë këtyre ditëve të fundit gjatë stinës së dimrit, konkretisht në qytet dhe në disa fshatra, sidomos në këtë mot të ftohtë kur dihet se një pjesë e madhe e qytetarëve shfrytëzojnë energjinë elektrike për ngrohje”, ka thënë Haliti.

KOHA gjatë ditës së hënë ka nisur pyetje në Ministrinë e Ekonomisë lidhur me këtë çështje, por nuk ka marrë përgjigje.