Kërkesa e opozitës që Ministria e Financave të ofrojë sqarime shtesë me shkrim lidhur me vlerën e mjeteve të ekzekutuara deri tash, nga 90 milionë eurot e zotuara nga Qeveria për subvencionim të energjisë, nuk është përkrahur nga pushteti.
Kërkesa e bërë gjatë intervistimit të ministrit të Financave, Hekuran Murati, në mbledhjen e Komisionit Hetimor Parlamentar, është hedhur në votim por kalimi i saj është pamundësuar, pasi deputetet e pushtetit nuk kanë marrë pjesë në votim.
Kjo, përkundër gatishmërisë së Muratit për të ofruar informata.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka thënë se pagesa e parë ka shkuar nga Ministria e Ekonomisë te KEK-u, e nga KEK-u te KESCO, kurse një pagesë tjetër është realizuar direkt nga Ministria te KESCO. Ai ka pyetur se pse linja e komunikimit të parasë ka ndryshuar.
“Këto mjete shtesë që i janë ndarë KESCO-s dhe kanë shkuar te KESCO, mbi cilën bazë kanë shkuar tash, sepse kemi pas mospajtime procedurale dhe një mosdakordim në mes të institucioneve, çka ka ndryshuar tash në relacionin Qeveri-Ndërmarrje publike, KEK apo KESCO”, ka pyetur ai.
Murati ka theksuar i kanë ekzekutuar rreth 60 milionë euro dhe se përmbushja e zotimit prej 90 milionë eurove ka afat deri në mars të vitit që vjen.
“Janë bërë dy alokime. Alokimi i parë ka qenë prej 41 milionë eurosh dhe alokimi i dytë është edhe ndarja prej 19 milionë eurosh. Pastaj prej këtij 19 milionë eurove është bërë shpenzimi, apo ekzekutimi përafërsisht 6 milionë euro nëse nuk gaboj. Pra qeveria deri më tani ka ndarë 60 milionë euro”, ka thënë Murati.
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka kërkuar të dijë se mbi çfarë baze ligjore është bërë ndarja e mjeteve dhe kjo ka nxitur reagimin e deputetes së Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila.
“Ministria e Ekonomisë deri më tani nuk e ka dhënë atë se në çfarë baze ligjore i ka dhënë këto mjete. Nëse ne i alokojmë mjetet te KESCO dhe ajo deri më tani nuk e ka arsyetuar këtë alokim në bazë të faturave, pasi nëse i dëmtojmë prapë qytetarët, atëherë asgjë s’kemi bërë”, ka thënë Lekaj.
“Në këtë aspekt atë që ne duhet të bëjmë pyetje është për mjetet e ndara nga qeveria, sa kanë shkuar dhe janë paguar për qytetarët në kompensim të faturave për energji elektrike. Kjo qe sqarim për ju, Ligji për energji elektrike neni 34”, ka thënë Kusari-Lila.
“Më falni kolege por nuk është ashtu. Nuk ju kemi thirrur ju në raport, por ministri. Nëse ju ka avokate, okej”, iu përgjigj Lekaj.
Komisioni të premten ka intervistuar edhe kreun e bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu. Edhe ai është pyetur nëse është ligjor transferimi i mjeteve nga KEK-u te KESCO.
Ai nuk ka dhënë përgjigje specifike për këtë, por ka thënë se nëse kanë informata për shkelje ligjore do t’ia përcjellin Komisionit.