Gjykata e Apelit e ka vërtetuar të mërkurën aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt, duke ia konfirmuar dënimin me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqës, të akuzuarit kryesor për vrasjen e Marigona Osmanit. Apeli e ka konfirmuar edhe dënimin me 15 vjet burgim për Arbër Sejdiun, i cili akuzohet për ndihmë në vrasje të rëndë
Gjykata e Apelit e ka konfirmuar dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Dardan Krivaqës, i cili është shpallur fajtor për vrasjen e 18-vjeçares, Marigona Osmani, më 2021.
Në njoftimin e Apelit të mërkurën është bërë e ditur se krahas dënimit të Krivaqës për veprën penale “vrasje e rëndë”, është vërtetuar edhe dënimi me 15 vjet burgim ndaj Arbër Sejdiut, i cili është dënuar për veprën penale “ndihmë në kryerje të vrasjes së rëndë”.
Marigona Osmani (18) është vrarë më 22 gusht të vitit 2021, në banesën e Krivaqës në qytetin e Ferizajt.
Për vrasjen e saj, Krivaqa dhe Sejdiu fillimisht janë dënuar në gusht të 2023-tës. Por, pas pranimit të disa ankesave të mbrojtjes, Apeli e ka kthyer rastin në rigjykim.
“Gjykata e Apelit e Kosovës, i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, të përfaqësuesit të të dëmtuarve M. O. dhe V. O. dhe të mbrojtësve të të akuzuarve D. K. dhe A. S., duke e vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda”, është thënë në njoftimin e Apelit.
Kjo gjykatë i ka vlerësuar të paqëndrueshme pretendimet ankimore të Prokurorisë dhe të mbrojtësve të të akuzuarve lidhur me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale.
“Kolegji gjykues vlerëson se, gjykata e shkallës së parë ka analizuar të gjitha provat e proceduara gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe lidhur me këto prova ka paraqitur konkludimet e saj, të cilat i vlerëson si të drejta, objektive dhe të ligjshme. Sa u përket pretendimeve ankimore lidhur me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, kolegji gjykues konstaton se gjykata e shkallës së parë e ka vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë gjendjen faktike, për shkak se me provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar se të akuzuarit D. K. dhe A. S., kanë kryer veprat penale të lartcekura, për të cilat janë shpallur fajtorë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Lidhur me shqiptimin e dënimit me burgim të përjetshëm për Krivaqën dhe me 15 vjet heqje lirie burgim për Sejdiun, Gjykata e Apelit ka gjetur se është dënim adekuat dhe i bazuar në ligj.
Gjykata Themelore në Ferizaj, aktgjykimet për Krivaqën dhe Sejdiun i pati nxjerrë më 4 gusht të 2023-tës porse rasti është kthyer në rigjykim me aprovim të Gjykatës së Apelit, dhe më 29 korrik të 2024-tës kjo gjykatë e ka shpallur përsëri fajtor Krivaqën, duke e dënuar me burgim të përjetshëm.
Sipas aktakuzës, Dardan Krivaqa më 21 gusht të 2021-tës, rreth orës 10:14, në banesën e tij dhe pa pëlqimin e saj, e ka detyruar Marigona Osmanin që të kryente marrëdhënie seksuale dhe e ka abuzuar dhe maltretuar në forma të ndryshme. Krivaqa e Sejdiut, sipas aktakuzës, një ditë më vonë e privojnë nga jeta Marigona Osmanin, në përpjekje për të fshehur veprën penale të dhunimit.