I akuzuari kryesor Dardan Krivaça ka thënë të enjten se “nuk thotë se është i pafajshëm”, përderisa Arbër Sejdiu, i akuzuari i dytë, ka mohuar fajësinë për akuzat që i ngarkojnë ata me dhunimin që e çoi në vdekje 18-vjeçaren Marigona Osmani. Në seancën fillestare të mbajtur në Gjykatën e Ferizajt, Krivaça ka filluar të qajë teksa i është lexuar aktakuza. Ai në sallën e gjykimit ka hyrë me jelek antiplumb, ndërsa për ta përcjellë nga afër gjykimin i pranishëm në gjykatore ishte edhe kryeprokurori i Prokurorisë në Ferizaj, Shukri Jashari
Pak ditë para se të bëhen plot një vit që prej vdekjes së Marigona Osmanit, dy të akuzuarit për vrasjen e saj janë paraqitur para gjykatës.
Dardan Krivaça dhe Arber Sejdiu janë sjellë të enjten në sallën e gjykimeve në Gjykatën e Ferizajt, pak minuta para se të niste seanca fillestare.
Ai i shoqëruar nga zyrtarë të shumtë policorë, në sallë është sjellë i veshur me një jelek antiplumb.
Krivaça hyri në gjykatore kokulur dhe i skuqur në fytyrë. Porse qëndrim krejtësisht të kundërt ka pasur i akuzuari i dytë për vrasjen, Arbër Sejdiu.
Pas njoftimit të udhëzimeve nga ana e gjyqtarit, Sahit Krasniqi, prokurori Valdet Avdiu ka lexuar aktakuzën e ngritur ndaj dy të pandehurve.
Përkrah prokurorit të shtetit ishte ulur edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari.
“Të pandehurit, Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu, me datën 22 gusht 2021 në banesën e të pandehurit, Dardan Krivaça, në rr. ‘Ramadan Rexhepi’ në Ferizaj, me dashje dhe me bashkëkryerje me qëllim të fshehjes së veprës penale e privojnë nga jeta tani të ndjerën, Marigona Osmani, me të cilën i pandehuri i parë ishte në marrëdhënie jashtëmartesore. Nga ora 10:56 deri në orën 14:43, i pandehuri i parë merr një shkop dhe së bashku me të pandehurin e dytë hyjnë në dhomë, me ç’rast së njëjtës i shkaktojnë lëndime të mëdha fizike dhe psikike”, ka thënë Avdiu, duke treguar se dy të pandehurit akuzohen për veprën penale “vrasje e rëndë’”. Krivaçës i ngarkohet edhe vepra penale e “dhunimit”, përderisa Sejdiut ajo për ndihmë në kryerjen e veprës penale, dhunim.
Pas akuzave të lexuara, i akuzuari kryesor për vrasje ka filluar që të qajë. Ai ka thënë të mos jetë në gjendje që të flasë.
“Nuk jam duke mundur kurrgjë”, ka theksuar Krivaça në gjykatore.
Kur është pyetur rreth fajësisë, ai ka thënë që “nuk thotë se është i pafajshëm”, porse do të mbrohet në heshtje në këtë fazë të procedurës penale.
“Nuk po them se jam i pafajshëm, veç nuk e di”, është shprehur Krivaça.
I prerë në përgjigje ishte i akuzuari tjetër.
“E ndiej vetën të pafajshëm”, ka thënë Sejdiu, kur është pyetur rreth fajësisë.
Të pranishëm në seancë ishin edhe pjesëtarët e familjes së të ndjerës Marigona Osmani. Avokati i familjes, Gazmend Rexhepi, ka thënë se familjarët presin që Gjykata ta shqiptojë dënimin meritor për të akuzuarit.
“Siç po shihet, do të shkojmë me elaborim të provave dhe do të shohim çështjen deri në fund, sipas të gjitha gjasave... Ata vetë i patë, njëjtë si deklarimi i fajshëm, si i pafajshëm, gjendja e tyre është e njëjtë, në gjendje të rëndë“, ka thënë Rexhepi.
Para nisjes së seancës të enjten, nga aktivistet e lëvizjes “Kolektivi për Mendim dhe Veprim feminist” në objektin e Gjykatës në Ferizaj është vendosur një shkrim me pjesë të aktakuzës ndaj Krivaçës e Sejdiut, në shenjë proteste. Aktivistet e kësaj lëvizjeje kanë protestuan para objektit të Gjykatës, me ç’rast kanë kërkuar që procesi gjyqësor të jetë i drejtë.
Liridona Sijarina nga kjo organizatë ka thënë se nëpërmjet këtij aksioni po kërkohet që rasti i Marigona Osmanit të trajtohet në mënyrë të drejtë.
“Ky aksion është i motivuar prej krejt rasteve, ku viktima të femicidit kanë qenë gratë dhe padenjësisht janë trajtuar prej krejt institucioneve. Ne sot duam që ta kujtojmë mënyrën makabre se si vdiq Marigona dhe të japim sinjal tek institucioneve se ne jemi këtu dhe nuk do të heshtim derisa rasti i saj dhe rastet e tjera të arrijnë drejtësinë”, ka thënë ajo.
Marigona Osmani ishte lënë pa shenja jete para Emergjencës së Spitalit të Ferizajt më 22 gusht të vitit të kaluar. Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria disa javë më parë, të pandehurit e kishin dhunuar seksualisht dhe fizikisht 18-vjeçaren, derisa viktima ka humbur vetëdijen. Në aktakuzë thuhet gjithashtu se të gjitha veprimet vërtetohen nga videoincizimet e siguruara nga banesa e Krivaçës, ku edhe ka ndodhur vepra penale.
Dardan Krivaça ishte arrestuar më 25 gusht 2021, kurse Arbër Sejdiu më 24 gusht 2021. Që atëherë, ata vazhdojnë që të jenë në paraburgim.