Me aktivitete të ndryshme është shënuar ditëlindja e 17-të e Pavarësisë së Kosovës. Manifestimet shtetërore kanë nisur me mbledhjen e Qeverisë e deri në mesditë kanë vazhduar me homazhe nga krerët shtetërorë.
Mbledhja festive e kabinetit qeveritar ka shënuar hapjen e manifestimit shtetëror për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti, në fjalën e tij hyrëse, ka thënë se në këtë përvjetor nderohen të gjithë ata që sakrifikuan e u flijuan për liri.
Ka theksuar se Republika sot është më e fortë e më vitale se kurrë më parë.
“Arritje që i festojmë sot e duhet t’i mbrojmë çdo ditë, të gjithë. Suksesi ynë është dëshmi që kemi punuar në përputhje me amanetin e idealet e dëshmorëve të kombit dhe në përputhje me të drejtat e popullit, dëshirat e rinisë dhe ëndrrat e fëmijëve”, tha Kurti.
Në oborrin e Qeverisë, Kurtit e anëtarëve të kabinetit qeveritar iu bashkua presidentja Vjosa Osmani për të ngritur flamurin shtetëror.
Por krerët për pamje kishin një flamur të kthyer mbrapsht.
Osmani e Kurti u shprehën krenarë për rrugëtimin e Kosovës e thanë se rruga e Republikës s`ka të ndalur.
“Do të ecim përpara sepse nuk ka asgjë që do të mund ta ndalë republikën tonë të lirë, të pavarur, sovrane dhe të përjetshme, urime”, tha Osmani.
“Pa dyshim që mund të jemi krenarë që i kemi dalë hakut sakrificës, flijimit të aq shumë dëshmorëve e martirëve, kontributit të jashtëzakonshëm edhe të rezistencës paqësore edhe asaj të armatosur, invalidëve e veteranëve të UÇK-së dhe të gjithë veprimtarëve, të cilët qëndruan në kohë të vështira, në mënyrë që ne të kemi kohë të mira”, tha Kurti.
Krerët shtetërorë aktivitetet në shënim të përvjetorit të 17-të të Pavarësisë i vazhduan në Prishtinë e Prekaz.
Bënë homazhe te Monumenti i të Pagjeturve dhe te Memoriali i Fëmijëve të Vrarë, te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, tek ai i veprimtarit Adem Demaçi e në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Homazhe bënë edhe te monumenti “Heroinat”.