LAJMET E MBRËMJES

Krejt çka ndodhi sot në Zubin-Potok

E qetë ishte protesta e së mërkurës edhe në Zubin-Potok. Pjesëmarrësit serbë vendosën flamurin e Serbisë në objektin e Shtëpisë së Shëndetit para Komunës e më pas u shpërndanë, duke lënë takim për tubim edhe të enjten

Pa tensione e pa incidente është mbyllur në Zubin-Potok dita e katërt e protestës së qytetarëve lokalë serbë para objektit të Komunës.

Gjatë ditës, serbët e mbledhur e vendosën një flamur të madh të Serbisë në objektin e Shtëpisë së Shëndetit përballë Komunës, pasi ditë më parë ky veprim u ishte ndaluar.

E në sfond i shoqëronin tinguj të këngëve me motive nacionaliste, të cilave u rritej volumi sa herë që gazetarët i nisnin raportimet e drejtpërdrejta.

Kryetari i ri i Komunës, Izmir Zeqiri, as të mërkurën nuk u paraqit në zyrën e tij në Komunë, por funksionin e ushtroi nga Zyra për Komunitete në Çabër.

Të mbledhur përpara Komunës që para orës 8:00, protestuesit fillimisht iu afruan kordonit të Policisë së Kosovës, pjesëtarë të së cilës prej ditësh janë dislokuar para objektit, por më pas u tërhoqën dhe nisën të vendosnin tenda përreth.

Pak më tej, gjithë situatën po e vëzhgonin pjesëtarë të paktë të KFOR-it italian, që ndërroheshin shpesh, derisa një pjesë e tyre po qëndronin edhe në pjesën e prapme të objektit të Komunës.

Në gjendje gatishmërie ishte edhe njësiti FIT i Policisë. E vëzhgim të situatës pati edhe nga qielli. Në mesditë u pa një helikopter i KFOR-it.

Derisa numri i protestuesve ishte më i madh në fillim të protestës, pjesëmarrësit u pakësuan pas orës 10:00. Shumë nga ta shkonin e vinin. Për media nuk pranuan të flisnin, madje kërkuan nga to që të largoheshin, meqë, sipas tyre, po e provokonin situatën.

Vetëm një protestues pranoi të flasë.

“Le të jetë flamuri serb derisa të njihet, por nuk është njohur, atë flamurin ta zbresim poshtë, të vendosim katër S-të: vetëm bashkimi i shpëton serbët. Dhe Kosova, kjo është vërtet, Kosova ka qenë në kohën e Jugosllavisë, por Kosova nuk ka qenë republikë, por mirë, politikanët e përcaktojnë këtë. Ne nuk mund të përcaktojmë asgjë, por do të ishte mirë që ta hiqni nga atje lart dhe të vizatojmë vetëm serbisht kryqin dhe katër shkronja S: vetëm bashkimi i shpëton serbët, nuk kërkojmë asgjë tjetër. Dhe kryetari i komunës, kush do të jetë, është çështje e politikanëve, jo e jona”, ka thënë ai.

E për protestuesit gjatë gjithë kohës është kujdesur organizatori, duke u ofruar ushqim. Shiu i rrëmbyeshëm nuk i ndaloi që të qëndronin aty deri në orën 15 e gjysmë. Më pas nisën t'i largonin tendat dhe mbeturinat që i bënë gjatë ditës. Në përmbyllje u dha edhe një mesazh nga njëri prej organizatorëve.

Me t'u larguar protestuesit, edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës hynë brenda objektit të Komunës, ndërsa para ndërtesës u vendosën vetura të KFOR-it.