Në Dhomat e Specializuara në Hagë, të mërkurën ka përfunduar dëshminë Naser Krasniqi, i cili në UÇK ka shërbyer si shef i sektorit të Zbulim-Kundërzbulimit në Brigadën 121. Ai ka thënë se nuk ka pasur kontakte direkte me shefin e ZKZ-së, Kadri Veseli, dhe as nuk i ka raportuar ndonjëherë atij
Në ditën e tretë të dëshmisë në Gjykatën Speciale, komandanti i sektorit të Zbulim-Kundërzbulimit në Brigadën 121 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Naser Krasniqi, ka thënë se pozita e tij ka qenë thuajse fiktive.
Ai është dëshmitar i prokurorisë në rastin gjyqësor për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, në të cilin të akuzuar janë ish-udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së - Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Krasniqi ka thënë të mërkurën se informacione inteligjente, pa ndonjë rëndësi të madhe, ka pranuar vetëm nga një person.
“Po të hiqeshin disa nga informacionet që i ka sjellë zotëri Baftiu, atëherë kjo pozitë në Brigadën 121 mund të quhet pozitë fiktive. Megjithëse edhe ato pak informacione që janë sjellë nga personi në fjalë nuk është se përmbajnë ndonjë informacion të rëndësishëm. Ai sigurisht që do t’ia përcillte UÇK-së në cilëndo njësi që do të haste dhe nuk nënkupton që ka qenë ndonjë informacion i nivelit të shërbimeve informative apo zbulim-kundërzbulimi”, ka thënë dëshmitari Krasniqi.
Një nga katër të akuzuarit, Kadri Veseli, ka qenë shef i Zbulim-Kundërzbulimit (ZKZ).
Tek u është përgjigjur pyetjeve të avokatit të Veselit, Rodney Dixon, dëshmitari Krasniqi ka thënë se informatat që i siguronte nuk i ka përcjellë te Veseli, por te komandanti i Brigadës, Haxhi Shala.
“Kur thoni se aftësitë apo mundësitë kanë qenë ekstremisht të kufizuara, ju këtë informacion, nëse e merrnit, ia jepnit zotërisë Shala si komandant Brigade. Kjo ishte procedura e zakonshme, apo?”, e ka pyetur dëshmitarin avokati Dixon. Në këtë pyetje Krasniqi është përgjigjur me pohim.
“Dhe sigurisht që këtë informacion ju nuk ia keni kaluar Kadri Veselit që ishte shefi ose drejtuesi i ZKZ-së apo?”, ka pyetur në vazhdim avokati. “Pajtohem”, i është përgjigjur dëshmitari.
Dëshmitari Krasniqi është pyetur edhe për një takim me Halil Qadrakun, i cili ka qenë udhëheqës i ZKZ-së në Zonën Operative të Pashtrikut. Krasniqi ka thënë se nuk i ka raportuar as atij.
“Takimi me Qadrakun ka qenë i rastësishëm dhe assesi nuk ka pasur të bëjë me një lloj takimi, për shkak të pozitës që ai mbante e që unë u informova në atë moment nga ai. Do të thotë, në asnjë moment gjatë luftës nuk ka pasur as ndonjë korrespodencë formale, zyrtare apo bashkëpunim me zotëri Qadrakun në kuadër të këtij sektori”, ka theksuar dëshmitari.
Krasniqi e ka përmbyllur dëshminë e tij para Dhomave të Specializuara në Hagë të mërkurën, ndërkaq për të enjten është paralajmëruar të dëgjohet një dëshmi nëpërmjet videolidhjes.