Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se procesi i zgjedhjeve në veri do të determinohet ditëve në vijim dhe se udhëzimi administrativ që mundëson peticion për largimin e kryetarëve të komunave do të jetë gati në fund të muajit. Ai nuk dha detaje në lidhje me punën e grupit punues për hartimin e udhëzimit administrativ.
Procesi i zgjedhjeve në 4 komunat veriore të vendit do të determinohet ditëve në vijim, ka thënë ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Nga Gjakova, ku mori pjesë në fillimin e punimeve për zgjerimin e segmentit rrugor "Ura e Tabakut" deri tek "Ura e Ahmet Efendisë", Krasniqi tha se udhëzimi administrativ që mundëson peticion për largimin e kryetarëve të komunave do të jetë gati në fund të muajit.
Ai nuk dha detaje në lidhje me punën e grupit punës.
"Deri tash gjithçka është në rregull, grupi punues ka pasur dy takime. Dhe unë nuk mund të diskutoj mbi një udhëzim administrativ të cilin ende nuk e kemi për konsultim publik dhe ende nuk mund të jap asnjë detaj shtesë", tha Krasniqi.
I pyetur se cilët janë hapat që do të ndërmarrin për zgjedhjet në veri, Krasniqi u shpreh se ky proces do të determinohet ditëve në vijim.
"Është një proces i cili do të determinohet ditëve në vijim. Si ministri dhe si ministër kam mbuluar përgjegjësinë time duke filluar me udhëzimin administrativ, i cili parasheh të drejtën e qytetarëve për mbledhjen e nënshkrimeve për largimin e kryetarëve nga detyra. Kjo nuk është për veriun, kjo mund të aplikohet nesër edhe për kryetarin e Gjakovës dhe cilindo kryetar të Kosovës, kështu që në këtë moment nuk dua të diskutoj më shumë rreth produktit, sepse në fund të muajit do të kemi një produkt nga grupi punues", deklaroi ai.
Për shtensionimin e situatës në veri mbajtja e zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq e Zubin-Potok është një nga zotimet që Kosova ka bërë në kuadër të dakordimit të arritur në Bratislavë.
Por, kryetari i Zveçanit dhe ai i Zubin-Potokut, që vijnë nga radhët e PDK-së, janë shprehur të gatshëm të japin dorëheqje nga pozitat e tyre po qe se u ofrohet një marrëveshje politike nga Qeveria.
Edhe pse ekzekutivi është pajtuar me organizimin e zgjedhjeve të reja, ata thonë se askush nuk i ka kontaktuar për t’i dhënë zgjidhje situatës.