Lidershipi i subjektit politik që ka dalë i dyti në zgjedhje, ka përsëritur gatishmërinë të formojë qeverinë e re nëse paraprakisht dështon ta bëjë këtë Vetëvendosje. Në mbledhjen e Kryesisë së partisë, po ashtu është thënë se PDK-ja nuk do të ndërmarrë asnjë hap bllokues, që do të cenonte funksionimin institucional në seancën konstituive të caktuar më 15 prill
Kryetari i Partisë Demokratike (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë të mërkurën se partia të cilën e drejton është e gatshme ta formojë qeverinë me kryeministër Bedri Hamzën, nëse partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, nuk e arrin shumicën e nevojshme në Kuvend.
Në mbledhjen e Kryesisë të mërkurën, Krasniqi ka informuar anëtarët për komunikimet me partitë parlamentare, me përjashtim të subjekteve që kanë qenë në koalicion në mandatin që është përmbyllur, Vetëvendosjes, Listës Guxo, si dhe Alternativës.
“Ne kemi objektiva të qarta për zhvillimin ekonomik, rikuperimin dhe forcimin e marrëdhënieve me partnerët tanë strategjikë, si dhe avancimin e procesit të integrimit euroatlantik. PDK-ja ka kapacitetin dhe vizionin për ta çuar Kosovën përpara”, është cituar Krasniqi, në njoftimin që PDK-ja e ka bërë pas mbledhjes së Kryesisë.
Sipas njoftimit, PDK-ja do të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe parimet demokratike, dhe ka paralajmëruar se nuk do të ndërmarrë veprime bllokuese apo përpjekje që do të cenonin funksionimin institucional në seancën konstituive të Kuvendit, të caktuar për datën 15 prill.
E Bedri Hamza, kandidat për kryeministër nga radhët e PDK-së, ka theksuar përkushtimin e tij për të jetësuar vizionin për, siç ka thënë, “një Kosovë më të zhvilluar dhe më të mirë për të gjithë qytetarët e saj”.
Para mbledhjes së Kryesisë, Krasniqi ka takuar të gjithë deputetët e zgjedhur të PDK-së në një drekë pune.
“Gjatë takimit, ata kanë diskutuar në mënyrë të detajuar për përgatitjet dhe qëndrimet e partisë në lidhje me seancën konstituive të 15 prillit, duke u fokusuar në hapat e ardhshëm dhe prioritetet e grupit parlamentar”, thuhet në njoftim.
Në orët e pasdites të së mërkurës, mbledhje të Kryesisë ka mbajtur edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
E, Lidhja Demokratike, e cila është forcë e tretë politike, ka shprehur qëndrimin se nuk do të bëhet pjesë e qeverisë që e synon PDK-ja, nëse posti i kryeministrit nuk i lihet asaj.