LAJMET E MBRËMJES

Krasniqi: Absurde të akuzohem për persekutim të anëtarëve të LDK-së, kur vetë isha anëtar i saj

Në deklaratën hyrëse në Gjykatën Speciale, mbrojtja e ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka ofruar fakte për përfshirjen e tij në ndonjë krim dhe është ankuar për mënyrën e arrestimit të tij. E Krasniqi i ka bërë thirrje trupit gjykues që të mos keqpërdoren dokumentet që janë gjetur në shtëpinë e tij. Ndërkaq ka theksuar se aktakuza e ka njollosur atë.

Dita e tretë e gjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka vazhduar me deklaratën hyrëse të mbrojtjes së ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi.

Me një deklaratë të gjatë e emocionale, Krasniqi ka folur për jetën e tij e vuajtjet e popullit nga regjimi serb.

Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se ndihet i njollosur me aktakuzën e Gjykatës Speciale për krime lufte.

Ka thënë se ai e urren dhunën dhe se asnjëherë nuk ka qenë i përfshirë në asnjë mënyrë në vrasje apo burgosje.

Ai e ka cilësuar absurde edhe akuzën për persekutim të anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pasi ka thënë se vetë ka qenë pjesë e kësaj partie.

“Është absurde të akuzohem për persekutimin e anëtarëve të LDK-së, kur unë isha vetë pjesë e kësaj partie...”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka deklaruar se ka qenë roli i tij si zëdhënës i UÇK-së që ta paraqesë si strukturë të mirorganizuar, por kjo, sipas tij, duhet parë si propagandë e asaj kohe për të mobilizuar popullatën.

E ka pasur tri lutje në fjalimin e tij për trupin gjykues.

E mbrojtja e Krasniqit ka përmendur 6 fakte që, sipas tyre, ka gabuar Prokuroria për rastin e akuzës ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas avokates Venkateswari Alagendra, Prokuroria ka mbivlerësuar tërësisht organizimin e UÇK-së.

“Parashtron teori të pabazuar se UÇK-ja ishte më e organizuar sesa në fakt ishte. Është thjesht fantazi që injoron realitetin në terren. Prokuroria është bërë pjesë e propagandës ndaj UÇK-së”, ka thënë Alagendra.

Ajo ka thënë se klienti i saj ka pasur rol të zëdhënësit të UÇK-së dhe nga ky rol zëdhënësi s’ka përfshirje në çështje operacionale ushtarake.

Ka shtuar se fakti që Prokuroria insiston se në UÇK ka pasur një ndërmarrje të përbashkët kriminale, dhe pretendimi për qëllim të përbashkët kriminal nuk qëndron.

“Zëdhënësit nuk përfshihen në çështje operacionale ushtarake. Ai s’kishte kompetenca apo përgjegjësi që kërkon t’i ngarkojë ZPS-ja. S’mund të lidhen aktivitetet e tij me krimet e pretenduara. Kjo i bie që NATO-ja mbështeti një ndërmarrje kriminale të njohur”, ka thënë avokatja Alagendra.

Gjykata Speciale ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të ndryshuar renditjen e dëgjimit të dëshmitarëve.

Mbrojtja kërkoi që të ndryshohet renditja, për ta mundësuar dëgjimin e mëhershëm të dëshmitarit numër 3, por ajo u refuzua.

Po ashtu gjykatësi në fund të seancës i ka kërkuar Zyrës së Prokurorit që të tregojë afatin sa kohë i duhet për të dëgjuar krejt dëshmitë. Ndërsa nga Mbrojtja kërkoi të përcaktojë periudhën kohores se sa kohë do të marrë marrja në pyetje e 12 dëshmitarëve të parë.

Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së do të vazhdojë më 11 prill, kur edhe pritet të nisë dhënia e dëshmive dhe dëgjimi i dëshmitarëve. Në ditët e para Prokuroria dhe mbrojtja dhanë deklaratat hyrëse. Teksa Prokuroria publikoi pretendimet e tyre për krime lufte nga katër ish-krerët e UÇK-së, mbrojtja dhe vetë të akuzuarit mohuan gjithçka.