LAJMET E MBRËMJES

KQZ-ja refuzon rivlerësimin e votave me postë që u shpallën të pavlefshme

Mosmiratimi i rekomandimit të Sekretariatit për të hapur kutitë me votat nga diaspora të përcjella me postë me qëllim të rivlerësimit të atyre që janë shpallur të pavlefshme ka nxitur të enjten debat mes anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ata kanë ngritur akuza në llogari të njëri-tjetrit për ndërhyrje në procesin e numërimit të votave. E gjatë së enjtes, është bërë edhe rinumërimi i votave të LDK-së në Vushtrri, pas dyshimeve të ngritura brenda pjesëtarëve të këtij subjekti për keqpërdorime

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka refuzuar rekomandimin e Sekretariatit për t’i hapur 177 kuti me vota të ardhura nga diaspora nëpërmjet postës për rivlerësimin e fletëvotimeve që janë shpallur të pavlefshme.

Në votimin për këtë çështje, katër nga shtatë anëtarët e KQZ-së që kanë qenë të pranishëm në mbledhjen e së enjtes kanë votuar për aprovimin e rekomandimit ndërsa tre nuk kanë marrë pjesë në votim.

Para votimit, kryesuesi i Sekretariatit, Besnik Buzhala, e ka justifikuar kërkesën për rivlerësimin e votave të pavlefshme me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa (PZAP), të marrë dy ditë më parë dhe me të cilin disa fletëvotime janë shpallur të pavlefshme shkaku që nuk kanë qenë mirë të printuara.

“Duke u mbështetur në vendimin e PZAP-së për këtë lloj të pavlefshmërisë së fletëvotimeve, sekretariati i KQZ-së i rekomandon KQZ-së të marrë vendim për hapjen e të gjitha kutive të votimit përmes postës, me qëllim që të vlerësohen fletëvotimet, të cilat janë shpallur të pavlefshme. Pra, bëhet fjalë për gjithsej 1.631 fletëvotime të pavlefshme që përfshijnë edhe fletëvotime të zbrazëta dhe të papërdorura”, ka thënë ai.

Por kërkesa e Buzhalës është kundërshtuar nga anëtarët e KQZ-së nga radhët e Partisë Demokratike (PDK), me pretendimin se vendimi i PZAP-së nuk i përfshin të gjitha fletëvotimet e pavlefshme.

Ilir Gashi, anëtar i PDK-së në KQZ, ka theksuar se hapja e kutive nuk mund të bëhet pa vendim nga PZAP-ja apo nga Gjykata Supreme.

“PZAP-ja askund nuk ka thënë se ky vendim mund të aplikohet në raste të ngjashme analoge dhe ju vetëm keni dhënë një kërkesë hipotetike, e cila nuk do të duhej të vinte nga ju... Kërkoj që ky rekomandim të mos mbështetet. Është një rekomandim i hamendësuar, për më keq dyshoj që ka për qëllim prolongimin e procesit zgjedhor dhe shpalljes së rezultateve përfundimtare”, ka thënë ai, teksa ka bërë thirrje që për ankesa të priten afatet ligjore për shpalljen e rezultateve përfundimtare.

E Arianit Elshani, anëtar tjetër i PDK-së në KQZ, ka shprehur qëndrimin se vëzhgues të partive politike që kanë qenë të pranishëm në numërim të votave me postë e kanë pasur të drejtën për t’i raportuar dhe për t’u ankuar për çdo parregullsi.

“Konsideroj që ky proces duhet të ngrihet nga PZAP-ja dhe ne nuk kemi raporte të evidentuara se cilat janë ato fletëvotime që duhet të shpallen të vlefshme. A keni mostra? Unë nuk kam një mostër sot. Nëse marrim një vendim që po e zbatojmë një vendim, cila është mostra? Cili është fletëvotimi që PZAP-ja ka thënë që është i vlefshëm? A është ai që i ka 5 subjekte apo ai që i ka 28 subjekte të renditura”, ka thënë ai.

Por qëndrim ndryshe kanë shprehur anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në KQZ.

Anëtari Sami Kurteshi ka thënë se vendimi i PZAP-së duhet të vlejë për të gjitha rastet e ngjashme.

“Nëse vetëm për një fletëvotim merret një vendim, kjo vlen për të njëjtat. Kështu marrin vendim gjykatat, qoftë edhe të gabuar, por duhet ta marrin një vendim të njëjtë. Edhe ashtu kolegu përmendi rastet analoge, do të thotë rastet e njëjta. Nuk po flasim për raste të tjera, por për raste të njëjta... Mendoj që duhet të nxirren të gjitha fletëvotimet e pavlefshme nga kutitë e votimit jashtë vendit dhe të shikohen një nga një, dhe ato që bien në kategorinë që i ka cekur PZAP-ja, të llogariten të vlefshme”, ka thënë ai.

Alban Krasniqi, anëtar tjetër i LVV-së në KQZ, ka akuzuar kolegë nga subjektet e tjera politike për ushtrim të presionit për shpalljen e fletëvotimeve të pavlefshme e të cilat raste ai ka thënë se nuk janë paraqitur në medie, siç është bërë me anëtarët e Vetëvendosjes.

“Keni qenë edhe ju, por që kurrë ato mediumet e juaja që i paguani, qysh i paguani, nuk ju kanë qitur juve për atë se çka keni bërë e qysh jeni duke bërë, por që ju kanë vërsulur, natyrisht që ju kanë vërsulur dy kolegëve tuaj. Edhe me lejen tuaj, edhe me video që i kanë siguruar vëzhguesit tuaj se për atë mision kanë qenë, për ta prishur procesin, jo për ta rregulluar procesin”, ka theksuar ai.

Krasniqi ka adresuar akuza edhe në llogari të pjesëtarëve të shoqërisë civile, të cilët kanë reaguar për ndërhyrjet që janë bërë në procesin e numërimit nga anëtarët e KQZ-së.

“Ajo që nuk po thuhet është që ka edhe medie të involvuara në këtë pjesë, të cilat qëllimshëm, qysh po ka edhe sot asi lloj pseudopjesëtarë të shoqërisë civile që mundohen edhe këtë proces, por edhe procesin e dyshimeve që tashmë janë bërë publike për një manipulim të votave brenda LDK-së, por që është votë që është manipuluar në emër të votës së mërgatës, të mbahet e mbyllur dhe ky rast është paraqitur në Prokurori”, ka thënë ai.

Se ka reaguar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) e ka pranuar vetë kolegu i Krasniqit nga LVV-ja, Sami Kurteshi, porse ai ka thënë se këtë nuk e konsideron ndërhyrje në proces.

“Jam prej atyre që kam qenë aktiv në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, edhe, po, e kam dhënë mendimin tim pikërisht në lidhje me këto fletëvotime. Natyrisht që po përputhet gjuha e disa OJQ-ve që janë paterica të partive politike dhe disa medieve: po ndërhyn në proces. Ngritja e një çështjeje nuk është ndërhyrje në proces. Është e drejtë e shprehjes së lirë”, ka thënë ai.

Lidhur me akuzat e Krasniqit për ndërhyrje, ka reaguar Gashi i PDK-së, i cili ka kërkuar që të ndalen “shpifjet” ndaj tij.

“Gjuha në vend të lagësht edhe rrëshqet, ama kolegë nuk është mirë me shpifë. Nuk mundesh me gjetë asnjë komisioner prej llaçi ta mbarosh, nuk mundesh, që unë kam ndërhyrë për një fletëvotim të pavlefshëm, as media, as vëzhgues as komisioner”, ka theksuar ai.

Pas refuzimit të rekomandimit të Sekretariatit të PDK-së ka reaguar ashpër anëtari i LVV-së në KQZ, Krasniqi.

“Kjo është kur e këqyr kështu thellë e thellë edhe vepër penale, përveç se akt i turpshëm. Prokurori sikur të vepronte, s’e di a do të kishe qenë ti këtu, me disa të tjerë”, është shprehur ai.

Krasniqi ka kërkuar që t’i vihen në dispozicion regjistrimet e kamerave nga numërimi i votave me postë, teksa ka ofenduar kolegët e tij.

“Kërkoj me urgjencë të më vihen në dispozicion regjistrimet e të gjitha fletëvotimeve të kutive që janë përmes postës që t’ia ofrojmë si dëshmi në këtë rast edhe kolegëve që t’i shohin me sy edhe nëse kanë nevojë për syze, le të përdorin syze”, ka thënë ai.

Diskutimet e anëtarëve të KQZ-së janë ndërprerë me mbylljen e mbledhjes nga kryesuesi, Kreshnik Radoniqi.

Prokuroria pret përfundimin e rinumërimit të votave të LDK-së në Vushtrri për veprim

Vushtrri, 6 mars – Që në orën 10:00 të së enjtes ka nisur rinumërimi i votave të Lidhjes Demokratike (LDK) në komunën e Vushtrrisë, në kuadër të procesit që është zhvilluar me urdhër të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, pas ngritjes së dyshimeve për keqpërdorime.

Por ky proces ka qenë i mbyllur për mediet, shkaku i hetimeve në zhvillim.

Dyshimet për keqpërdorime në Vushtrri janë ngritur nga kandidatja për deputete e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, në llogari të bashkëpartiakut, Xhafer Tahiri. Krasniqi ka pretenduar se në një vendvotim Tahiri ka siguruar më shumë vota sesa kandidati për kryeministër i LDK-së, Lumir Abdixhiku. E në një tjetër vendvotim, ajo ka theksuar se janë ngritur dyshime për ndërhyrje në listën e nënshkrimeve të votuesve.

Për procesin e rinumërimit të votave të LDK-së në Vushtrri, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka dhënë hollësi.

E në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë kanë thënë se veprimet lidhur me rastin do të ndërmerren varësisht nga gjetjet e dala prej këtij procesi.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka dhënë urdhër që të rinumërohen të gjitha votat nga qendrat e vendvotimeve në Komunën e Vushtrrisë, të një subjekti politik. Ky rinumërim vjen pas ankesave të një kandidateje për deputete të këtij subjekti përkitazi me dyshimet për manipulim me vota brenda subjektit, të cilit i takon ankuesja. Pas rinumërimit të vendvotimeve, varësisht nga gjetjet do të procedohet tutje. Kjo është e gjitha që mund të ofrojmë në këtë fazë”, është thënë në një përgjigje të Prokurorisë.

Numërimi i votave nga mërgata të dhëna nëpër përfaqësi diplomatike dhe i atyre të ardhura me postë është përmbyllur të mërkurën mbrëma.

KQZ-ja duhet të presë rrjedhjen e afateve ligjore për ankesa në mënyrë që të shpallë rezultatet përfundimtare nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.