Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar të enjten rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Kundër vendimit të KQZ-së dolën dy anëtarët e Vetëvendosjes në këtë institucion. Në mbledhjen e KQZ-së, anëtarët reflektuan edhe mbi telashet, me të cilat janë përballur gjatë gjithë procesit dhe paralajmëruan adresimin e tyre
Një muaj e gjysmë nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vulosur rezultatin përfundimtar.
Kundër certifikimit të rezultateve, të enjten, votuan dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, derisa vendimi u përkrah nga nëntë anëtarët e tjerë.
Paraprakisht, anëtarët e KQZ-së nuk u pajtuan në lidhje me zëvendësimin apo jo të kandidatëve, të cilët janë deklaruar se nuk duan të marrin mandatin e deputetit.
Me gjithë diskutimet, kryetari Kreshnik Radoniqi njoftoi se tre kryetarët e komunave kanë vendosur të mos ushtrojnë rolin e ligjvënësit, edhe pse kanë siguruar ulëse në Kuvend.
“Gazmend Muhaxheri zëvendësohet me z. Arben Gashi, Imri Ahmeti me z. Paris Guri dhe Bedri Hamza me z. Rashit Qalaj”, ka thënë Radoniqi.
Kryetari i Pejës, Muhaxheri, dhe ai i Lipjanit, Ahmeti, ishin në listën e LDK-së, derisa Hamza i priu listës së PDK-së.
Votën kundër certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit, anëtari i Vetëvendosjes, Sami Kurteshi, e arsyetoi me rrugën që partia e tij është duke e ndjekur.
Vetëvendosje është ankuar në Kushtetuese ndaj vendimit të Gjykatës Supreme, që hodhi poshtë ankesën e saj në lidhje me votimin nga jashtë.
“Derisa të përfundojnë të gjitha rrugët dhe mundësitë ligjore deri në Gjykatën Kushtetuese, unë nuk mund ta votoj certifikimin e këtyre rezultateve”, ka deklaruar Sami Kurteshi, anëtar i KQZ-së nga LVV-ja.
E para se ta ngrinin dorën për votim, anëtarët e KQZ-së reflektuan mbi telashet që e kanë përcjellë procesin.
Ilir Gashi i PDK-së ka thënë se procesi nuk ishte i lehtë e se me probleme të njëjta do të ballafaqohen prapë nëse nuk i adresojnë ato.
“Ne duhet urgjentisht t`i adresojmë të gjitha çështjet, duke përfshirë edhe çështjet tona të brendshme, defektet tona të brendshme, por edhe adresimin e çështjeve që dalin nga ndryshimet e mundshme ligjore, sepse kjo duhet t’u shërbente edhe zgjedhjeve që na presin, zgjedhjeve lokale”, ka thënë Gashi.
Me institucionet që kanë hedhur poshtë ankesat e Vetëvendosjes është marrë anëtari tjetër i saj në KQZ, Alban Krasniqi.
Ka thënë se vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e të Gjykatës Supreme janë thirrje për shkelësit e ligjit që të vazhdojnë me manipulimin e procesit.
“Ndihem shumë i indinjuar edhe për faktin se edhe sot kur ne po flasim, janë ca njerëz në ekrane televizive dhe liderë të partisë, ndoshta, të cilët zgërdhihen me lehtësinë që ata mendojnë se ia kanë hedhur që ta mbulojnë një krim, i cili është i pambulueshëm”, ka deklaruar Krasniqi.
Sipas rezultateve të certifikuara, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 42.30 për qind të votave, rezultat që ia siguron 48 ulëse në Kuvend. Ajo pasohet nga Partia Demokratike me 20.95 për qind apo 24 ulëse, pastaj nga Lidhja Demokratike me 18.27 për qind apo 20 ulëse. Në vendin e katërt është renditur Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.06 për qind apo 8 ulëse në Kuvend. 20 ulëset e tjera janë për komunitetet joshumicë.
VV-ja e çon në Kushtetuese vendimin e Supremes për votat me postë
Lëvizja Vetëvendosje e ka dërguar të enjten në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Gjykatës Supreme, që të mërkurën i cilësoi si të pathemelta ankesat e kësaj partie.
VV-ja ka shkruar në Facebook se vendimi i Supremes është politik dhe absurd, duke shtuar se “vetëm një vendim i drejtë i Gjykatës Kushtetuese do të ishte siguresë e ndalimit të deformimit të tillë”. Supremja i hodhi poshtë ankesat e VV-së për votat e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) që erdhën me postë. VV-ja tha se vendimi sa më i hershëm mbi këtë çështje, “do të ishte mundësi e vetme e parandalimit të tjetërsimit dhe deformimit të vullnetit të shprehur të qytetarëve në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025”. “Konsiderojmë se është detyrë e të gjithëve dhe veçanërisht e institucioneve të thirrura që të ruajnë vullnetin e shprehur të qytetarëve në procesin zgjedhor, vullnet nga i cili buron legjitimiteti i secilit institucion të Republikës. Kësisoj, vetëm një vendim i drejtë i Gjykatës Kushtetuese do të ishte siguresë e ndalimit të deformimit të tillë”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.
Kurti: Deri të zgjidhet qeveria e re do të jemi kujdestarë
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar të enjten se derisa të zgjidhet qeveria e re, ai bashkë me anëtarët e kabinetit qeveritar do të jenë kujdestarë. Pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit nga KQZ-ja, Kurti ka thënë se mandati i tij ka përfunduar zyrtarisht dhe tani ka kaluar në fazën kalimtare të funksionimit si qeveri në detyrë, e cila, sipas tij, efektivisht është sikur qeveria në dorëheqje e mandateve të mëhershme. Kurti ka thënë se kjo është hera e parë që një qeveri e Republikës së Kosovës ka përfunduar me sukses mandatin e plotë kushtetues, duke shënuar një kapitull të ri të stabilitetit institucional.
Deputetët e Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit
Nga Lëvizja Vetëvendosje, mandatet e deputetëve i siguruan: Albin Kurti, Glauk Konjufca, Faton Peci, Hekuran Murati, Albulena Haxhiu, Xhelal Svecla, Donika Gërvalla-Schwarz, Avni Dehari, Mimoza Kusari-Lila, Arben Vitia, Ejup Maqedonci, Shqipe Mehmeti-Selimi, Saranda Bogujevci, Edona Llalloshi, Mefail Bajqinovci, Hajrullah Çeku, Armend Muja, Jeta Statovci, Haxhi Avdyli, Albena Reshitaj, Artane Rizvanolli, Nezir Kraki, Adelina Grainca, Arbreshë Kryeziu, Arbër Rexhaj, Dimal Basha, Valon Hoti, Arbërie Nagavci, Liza Gashi, Valon Ramadani, Labinotë Demi-Murtezi, Fjolla Ujkani, Halil Thaçi, Agim Bahtiri, Fitore Pacolli-Dalipi, Artan Abrashi, Salih Zyba, Adriana Matoshi, Drita Pajaziti, Fitim Haziri, Driton Hyseni, Bylbyl Sokoli, Bajram Mavriqi, Arjeta Fejza, Ilir Kërçeli, Fatmire Kollçaku, Arijeta Rexhepi dhe Rozeta Hajdari.
Nga PDK-ja, mandatet e deputetëve i siguruan: Memli Krasniqi, Uran Ismaili, Vlora Çitaku, Sala Jashari, Enver Hoxhaj, Përparim Gruda, Ganimete Musliu, Nait Hasani, Jakup Nura, Rrahman Rama, Artan Behrami, Mërgim Lushtaku, Elmi Reçica, Ferat Shala, Blerta Deliu-Kodra, Fadil Demaku, Altin Krasniqi, Xhevahir Geci, Abelard Tahiri, Ariana Musliu-Shoshi, Rashit Qalaj, Eliza Hoxha, Arbnore Salihu dhe Kosovare Murseli.
Në LDK mandatet e deputetëve i siguruan: Lumir Abdixhiku, Doarsa Kica- Xhelili, Kujtim Shala, Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti, Anton Quni, Lutfi Haziri, Jehona Lushaku-Sadriu, Armend Zemaj, Hysen Cekaj, Fadil Hadërgjonaj, Besian Mustafa, Marigona Geci, Ekrem Hyseni, Krenar Xhaferi, Alban Zogaj, Arben Gashi, Paris Guri, Serbeze Muçaj dhe Arjeta Abazi.
Nga AAK-Nisma mandatet e deputetëve i siguruan: Ramush Haradinaj, Daut Haradinaj, Fatmir Limaj, Bekë Berisha, Time Kadrijaj, Lahi Brahimaj, Arbreshë Krasniqi dhe Xhevahire Izmaku.
Nga komunitetet joshumicë, mandatet e deputetëve i siguruan: komuniteti serb - Branislav Nikoliq, Slavko Simiq, Liljana Stefanoviq, Sërgjan Popoviq, Verica Çeraniq, Igor Simiq, Zlatan Elek, Miljana Nikoliq, Stefan Kovaćević e Nenad Rashiq; komuniteti boshnjak - Emilija Rexhepi, Rasim Demiri e Duda Bale; komuniteti turk - Fikrim Damka, Fidan Jilta; komuniteti egjiptian - Elbert Krasniqi e Veton Berisha; komuniteti ashkali - Artan Asllani; komuniteti rom - Albert Kinolli; komuniteti goran - Adem Hoxha