LAJMET E MBRËMJES

KPM-së i sfidohen vendimet në gjykatë

Janë sfiduar në gjykatë vendimet e mbledhjes së Komisionit të Pavarur të Mediave, nëpërmjet të cilave është ndryshuar rregullorja e punës dhe është zgjedhur kryetari i ri i këtij rregullatori të medieve. Instituti i Kosovës për Drejtësi i është drejtuar me padi Gjykatës Themelore në Prishtinë, së cilës i ka kërkuar ta shfuqizojë edhe rregulloren e edhe vendimin

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), nëpërmjet një padie, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë t’i shfuqizojë ndryshimet në Rregulloren e Punës së Komisionit të Pavarur (IKD) e edhe vendimin me të cilin është zgjedhur kryetari i ri i këtij rregullatori të medieve.

Gëzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, tha se vendimet e marra në mbledhjen e 17 janarit janë të kundërligjshme.

“Definitivisht se nuk guxon të ketë akte të cilat bien ndesh me ligjin, në materien dhe procedurën e tij dhe për këtë arsye definitivisht se kërkohet një vendim i gjykatës për të shfuqizuar këtë rregullore dhe për ta deklaruar paligjshmërinë e vendimit për zgjedhjen e kryetarit të ri”, ka thënë Shala.

Më 17 janar, Bordi i KPM-së bëri ndryshime në rregullore, të cilat mundësuan të zgjidhet kryetari i ri pak ditë para se t’i skadonte mandati kryetarit Jeton Mehmeti. E bëri këtë nën arsyetimin se, në kohën kur Mehmeti largohet, KPM-ja do të mbetet pa kuorum vendimmarrës e për pasojë edhe pa kryetar. Por, vendimi nxiti reagime.

Drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, theksoi se mënyra e ndryshimit të rregullores e edhe procedura e zgjedhjes së kryetarit bien ndesh me ligjin.

“Në radhë të parë ka të bëjë me faktin që ligji e përcakton në mënyrë të qartë dhe e thotë se si mund të ndryshohet rregullorja, përmes konsultimit publik, dhe e dyta, është fakti që rregullorja i ka ndryshuar kriteret dhe procedurat e emërimit të kryetarit të Komisionit të Pavarur të Mediave. Pra, këto janë dy situata që bien ndesh me ligjin”, ka thënë Miftaraj.

Në padinë e dorëzuar, IKD-ja ka cituar nenin e Ligjit për KPM-në, sipas të cilit ky rregullator obligohet “t’i marrë parasysh mendimet e publikut mbi aktet e propozuara” dhe t’ua japë atyre 15 ditë kohë për të paraqitur komente. Po ashtu, në padi theksohet se bazuar në ligj, kryetari i ri i KPM-së mund të zgjidhet tek në mbledhjen e parë, pas përfundimit të mandatit të kryetarit dhe jo paraprakisht. 

Por, anëtarë të KPM-së kanë insistuar se vendimet janë në përputhje me Ligjin dhe konform praktikës së Gjykatës Kushtetuese.