LAJMET E MBRËMJES

KPM-ja thotë se shumë shpejt do të vendosë për të drejtat e transmetimit të ligës angleze

Përfaqësues të Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal e Media kërkuan nga Komisioni i Pavarur për Media që të veprojë mbi bazën e letrës të cilën Premier Liga e ka dërguar javën e kaluar lidhur me të drejtat e transmetimit të ndeshjeve të saj në Kosovë. Gjatë raportimit në këtë komision, kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti, tha se do të vendosin shpejt për të drejtat e transmetimit. Insistimi i deputetëve të pushtetit mbi këtë çështje u kritikua nga opozita

Komisioni i Pavarur i Mediave ka premtuar se shumë shpejt do të merr vendim lidhur me të drejtat e transmetimit të Premier Ligës në platformat kabllore në Kosovë. Gjatë raportimit në Komisionin për Administratë Publike e Media, kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti, ka sqaruar se më 4 shtator të vitit Premier Liga kishte shprehur shqetësime se kanalet e Premier Ligës po transmetohet pa të drejtë nga “Art Motion” , “Kujtesa” dhe “Ipko”. Ndërkohë, sipas Mehmetit, më 19 tetor të vitit të kaluar kanë marrë një shkresë tjetër nga Premier Liga e cila ua shpjegon se në rastin e Kosovës dhe Shqipërisë i kanë ndarë të drejtat në dy pako për shtetet e ish-Jugosllavisë. Mehmeti ka sqaruar edhe qëndrimin e komisionit për letrën e fundit që kjo ligë e ka dërguar në Prishtinë, ku thuhet se asnjëra nga këto platforma nuk ka autorizim për transmetim.

“Pra. në këtë letër vetëm kemi dashur të sqarohemi ne kur ‘Premier Liga’ na thotë neve se po operohet ilegalisht në Kosovë, ne e kemi pyetur se kush ka të drejtë në Kosovë të operojë. Na është thënë dy, DigitAlb dhe Arena. Atëherë na tregoni si Premier Ligë a i kenë dhënë këtyre dyve të drejtë që të hyjnë në marrëveshje me palët e tjera, na kanë thënë po i kemi dhënë. Atëherë ne kemi shkuar një hap më tutje që t’i shohim këto marrëveshje, prandaj e kemi kërkuar këtë dokument që të na dëshmoni dhe na është dëshmuar, nëse jemi mashtruar me këtë dokument zyrtar i bie që jemi mashtruar”, ka theksuar Mehmeti.

Deputetët e Vetëvendosjes kanë kërkuar nga KPM-ja që të ndërmarrë veprime mbi bazën e letrës të cilën e ka pranuar kryetari i Komisionit për media, e në të cilën thuhet se Premier Liga nuk e ka autorizuar “ArtMotion” të transmetojë ligën angleze në Kosovë dhe nuk e ka autorizuar as “Arena Sportin” nga Serbia që përmes “ArtMotion” të shpërndajë ndeshjet e Premier Ligës në Kosovë.

“Institucionet e Kosovës siç është edhe institucioni që ju e drejtoni zotëri Mehmeti, nuk duhet të lejojmë poshtërime të tilla për republikën tonë nga vendet që kanë pretendime territoriale, në këtë rast Serbia. Ne e dimë se Serbia edhe në Preambulën e saj e ka Kosovën dhe kur dikush na drejtohet neve dhe i referohet Kosovës si pjesë e Serbisë sipas Preambulës apo Asterisksit, të lutem që të jesh më i kartë. Nëse keni bërë gabim është njerëzore ta pranoni, përndryshe unë mendoj se ju e keni shkelur Kushtetutën e Republikës”, ka deklaruar deputeti i LVV-së, Besim Muzaqi.

Ndaj qëndrimeve të Muzaqit ka reaguar deputeti i LDK-së, Agim Veliu.

Ai i ka cilësuar politike kritikat e ngritura nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Komisioni po sulmohet nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe po iu kërkohet llogari e përgjegjësi për një vendim lidhur me përmbajtjen e një operatori kabllor, pa i dëgjuar argumentet juridike e as procedurale. Siç e thash edhe më herët po i konsiderojnë si bashkëpunëtor të Serbisë dhe të Vuçiqit. Për një kanal kabllor po cilësohen si tradhti kombëtare, hiç më pak”, ka theksuar Veliu.

e Premier Ligës është aktualizuar që kur KPM-ja ia ka lejuar shërbimit “Artmotion” që të kthejë të drejtën e transmetimit të ndeshjeve të kësaj lige në kanalet e platformës serbe “Arena”, e të cilat ishin ndaluar për shkak të spoteve që i lartësonin terroristët e sulmit në Banjskë.