Pas shfaqjes së një videomesazhi në kanalet sportive serbe “Arena sport” me mesazhe kërcënuese për Kosovën dhe që glorifikon terroristët e vrarë në Banjskë, Komisioni i Pavarur për Media ka kërkuar nga operatorët e shpërndarjes që të ndalojnë transmetimin e këtyre kanaleve. Në mbledhjen e mbajtur të martën është konstatuar se kjo përbën shkelje të rregullores së KPM-së dhe cenon sigurinë shtetërore.
Komisioni i Pavarur për Media ka kërkuar nga operatorët e shpërndarjes që menjëherë të ndalojnë transmetimin e kanaleve sportive serbe “Arena sport”, pasi në to janë emetuar videomesazhe glorifikuese për tre terroristët e vrarë në Banjskë pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës.
Kryetari i Komisionit, Jeton Mehmeti, ka thënë se shfaqja e këtyre mesazheve është në kundërshtim me rregulloren e KPM-së.
“Kanalet ‘Arena’ kanë transmetuar përmbajtje që janë në kundërshtim me rregulloren e KPM-së. Mesazhet e tilla që glorifikojnë grupe që kanë sulmuar Policinë e Kosovës janë në kundërshtim me nenin 19 - neni 2. Andaj, sipas rregullores, ofruesit kabllorë menjëherë të ndalojnë transmetimin e kanalit ‘Arena’, sepse cenojnë interesin nacional dhe sigurinë kombëtare”, tha Mehmeti.
Kanalet e “Arena sport” transmetohen edhe nga operatorët kabllorë Artmotion, IPKO, Kujtesa, Telkos dhe MTS.
Edhe anëtarë tjerë të KPM-së vlerësuan se emetimi i videomesazhit paraqet kërcënim të sigurisë nacionale.
“Në rastin konkret e kemi të evidentuar që ka ndodhur një propagandë vulgare, rrezikim i sigurisë nacionale dhe interesit publik. Spoti në bazë të evidencave që kemi është shfaqur disa herë”, tha anëtari i KPM-së, Besnik Berisha.
“Mendoj që ne sot nuk do të duhej fare që të mblidheshim, por vetë ofruesit ta largonin kanalin, sepse e kanë obligim moral por interesi biznesor i disa personave është më i madh se ai shtetëror. Këtë e kemi parë me mënyrën e regjistrimit të disa bizneseve në Serbi”, tha Luljeta Aliu, anëtare e KPM-së.
KPM-ja ka bërë të ditur se është duke monitoruar edhe programet e tjera serbe.
Programet sportive serbe “Arena sport”, që transmetohen nga operatorët kabllorë në Kosovë, të shtunën kanë transmetuar spotin që glorifikon terroristët serbë të vrarë në Banjskë dhe përmban fjalinë kërcënuese: “Do të mbajmë mend”.