LAJMET E MBRËMJES

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia krijojnë aleancë ushtarake

Ministrat e Mbrojtjes të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë kanë nënshkruar deklaratë trepalëshe për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë. Memorandumi, i firmosur në Shqipëri, synon fuqizimin e industrisë ushtarake, modernizimin e kapaciteteve dhe përballjen me sfidat e sigurisë në Ballkan. Nënshkruesit theksuan se bashkëpunimi nuk kërcënon askënd, por është garanci për stabilitetin dhe paqen në rajon

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia kanë nënshkruar të martën një deklaratë trepalëshe për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.

Nënshkrimi i këtij memorandumi është bërë në Shqipëri, ku ministri i Mbrojtjes i këtij vendi, Pirro Vengu, me nderime të larta ushtarake ka pritur homologët nga Kosova e Kroacia: Ejup Maqedonci dhe Ivan Anushiq. 

E pas nënshkrimit të deklaratës, në një konferencë të përbashkët të tre ministrave, Maqedonci ka thënë se me këtë nuk synohet të kërcënohet ndonjë vend.

“Synimi i këtij bashkëpunimi nuk do të jetë në asnjë rast kërcënim i askujt. Por do të jetë një mesazh për të gjithë ata që guxojnë të kërcënojnë sigurinë, paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, por edhe sigurinë e vendeve tona, që tri vendet tona që ndajnë vlera dhe interesa të përbashkëta janë të bashkuara për t’u përballur me çdo rrezik dhe kërcënim që synon destabilizimin e regjionit”, ka thënë Maqedonci.

Sipas Maqedoncit, rëndësia e këtij bashkëpunimi shtrihet edhe në rrafshe të tjera.

“Veçanërisht në aspektin e industrisë së mbrojtjes, trajnimit, edukimit të personelit ushtarak, ndërsa adreson edhe çështjen e mbështetjes së dy vendeve për integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike”, ka shtuar ai.

E ministri kroat, Anushiq, ka thënë se deklarata vë theksin për bashkëpunimin në industrinë ushtarake.

“Kemi marrë vendimin që të kemi një bashkëpunim ndërmjet tri shteteve. Një bashkëpunim i cili do të bazohet sidomos te bashkëpunimi i dhënies së ndihmës te pjesa e zhvillimit të industrisë së mbrojtjes, ndryshimit dhe përmbushjes së marrëveshjeve që i kemi pasur deri tani që janë të nivelit të lartë, por këto tani duam t’i përmirësojmë dhe fuqizojmë dhe të ndajmë eksperiencën tonë”, ka deklaruar Anushiq.

Ai ka folur edhe për ndryshimet gjeopolitike dhe rëndësinë e këtij bashkëpunimi.

“Për shkak të gjeopolitikës duam të kemi bashkëpunim në rajonin tonë duke pasur parasysh rreziqet që janë prezentë dhe situatat që po ndodhin në Evropë, duke iu referuar edhe Ukrainës. Jemi duke menduar edhe për të kaluarën tonë, e cila nuk është shumë e largët. Një informacion që e kemi nga e kaluara dhe na jep mundësi për t’u menduar, prandaj kemi marrë vendimin që të kemi një bashkëpunim ndërmjet tre shteteve", ka shtuar Anushiq.

Ministri Vengu është shprehur se përpos industrisë ushtarake, deklarata thekson edhe bashkëpunimin në stërvitje dhe modernizim të kapaciteteve. Ai ka shtuar se Shqipëria e Kosova kanë çfarë të mësojnë nga Kroacia në fushën e mbrojtjes.

“Deklarata përkthen në fakt jo vetëm një vullnet politik, por gjithashtu edhe disa prioritete që ne ndajmë së bashku. Kryesisht ka të bëjë me rëndësinë qe vendet tona i japin ripërtëritjes, ringritjes së industrisë ushtarake dhe nevojën që në këtë shtyllë të sigurisë kombëtare të vendeve tona të bashkëpunojmë edhe më thellë edhe më gjerë”, ka thënë Vengu.

Kjo aleancë pos të tjerash qëllim ka edhe kundërveprimin ndaj kërcënimeve hibride dhe forcimin e qëndrueshmërisë strategjike, ofrimin e mbështetjes së plotë për integrimin euroatlantik dhe atë të mbrojtjes rajonale.

Sipas nënshkruesve, deklarata lë mundësinë që edhe vendet e tjera t’u bashkohen, teksa është bërë e ditur se ftesë ka marrë Bullgaria.

Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar hap jashtëzakonisht të rëndësishëm për sigurinë Deklaratën për aleancë ushtarake midis Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë. 
Kurti ka thënë se kjo marrëveshje është e rëndësishme edhe për paqen në rajon. 

“Urime të gjithëve! Hap jashtëzakonisht i rëndësishëm për sigurinë dhe paqen në rajon, përmes mbrojtjes, bashkëpunimit dhe bashkërendimit të vendeve tona paqedashëse, me deklaratën trepalëshe për aleancë ushtarake të nënshkruar sot në Tiranë ndërmjet ministrit tonë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Pirro Vengu dhe ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kroacisë, Ivan Anushiq”, ka shkruar Kurti në Facebook.

E njohësi i çështjeve të sigurisë, Gurakuç Kuçi, ka vlerësuar se kjo marrëveshje është arritur në koordinim me NATO-n. Sipas tij, me këtë marrëveshje ushtarake, Serbia dhe Republika Serbe në Bosnjë-Hercegovinë, izolohen.

“NATO-ja, Shqipëria dhe Kroacia ia kanë ofruar Kosovës një mundësi të artë. Kjo marrëveshje është bërë me miratimin e NATO-s, sepse Shqipëria dhe Kroacia nuk do të kishin të drejtë të nënshkruanin një marrëveshje të tillë pa miratimin e NATO, jashtë vendeve anëtare të NATO. Andaj mund të themi se NATO-ja, Shqipëria dhe Kroacia ja kanë ofruar Kosovës një mundësi të artë që të afrohet sa më shumë me NATO-n, të rrisë sigurinë e saj edhe por të rrisë edhe sigurinë e rajonit. Me marrëveshjen e tanishme që ka ndodhur me këtë deklaratë nga Kosova, Shqipëria dhe Kroacia për çështje ushtarake, atëherë deri në një masë Serbia dhe Republika Serbe izolohen, ku atyre ose ju ofrohet mundësia për paqe dhe për zhvillim drejt strukturave euroatlantike, ose do të mbeten të izolohen në këtë mënyrë që të mbeten të vetmuara dhe nuk mund të kërcënojnë asnjë vend që është pjesë e NATO apo ka marrëveshje me vendet anëtare të NATO-s”, ka thënë Kuçi.

Kroacia dhe Shqipëria janë anëtare të NATO-s, ndërsa Kosova ka trupa të kësaj aleance në territorin e saj.