Në mesin e 180 shteteve pjesëmarrëse në Indeksin për Perceptim të Korrupsionit, Kosova është radhitur në vendin e 73-të. Në renditjen e shteteve të rajonit, më mirë se Kosova është vetëm Mali i Zi. Kryeministri Albin Kurti ia atribuoi Qeverisë meritat për përparimin vjetor prej 10 vendesh.
Kosova ka shënuar rritje për 10 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, që është publikuar nga organizata Transparency International.
Në mesin e 180 shteteve të botës, sa janë të përfshira në këtë raport, Kosova është renditur në vendin e 73-të me 44 pikë, ndryshe prej vitit të kaluar kur u vlerësua me 41 pikë.
Raporti tregon se Kosova është në mesin e shtatë shteteve që në pesë vjetët e fundit kanë përmirësuar shifrat që lidhen me perceptimin për korrupsionin.
Kryeministri Albin Kurti ia atribuoi Qeverisë meritat për këtë rezultat.
“Lufta jonë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit vijon të japë rezultat e të marrë njohje e vlerësime ndërkombëtarisht. Ky është rankimi më i mirë (73/180) dhe vlerësimi më i lartë (44/100) ndonjëherë për vendin tonë në këtë indeks ndërkombëtar. Me luftim të korrupsionit fiton shteti e qytetarët, e bashkë me të edhe imazhi i vendit tonë i cili çdoherë e më shumë po përmirësohet, e Republika përherë e më shumë po lartësohet”, ka shkruar Kurti.
Rangimi i Kosovës në këtë raport lë prapa shtetet e rajonit si: Shqipërinë që ka vendin e 80-të, Maqedoninë e Veriut që është në të 88-in, Serbinë në të 105-in dhe Bosnjën e Hercegovinën që është ranguar në vendin e 114-të.
Instituti Demokratik i Kosovës, që është partner lokal i kësaj organizate, konstatoi se rajoni ka mesataren prej më të ulëtave në botë.
“Regjioni i Evropës Juglindore dhe Azisë Qendrore ku bën pjesë edhe Kosova, është regjioni me mesataren gati më të ulët në botë, kryesisht për shkak të problemeve të theksuara me sundimin e ligjit, autokracinë në rritje, cenimin e mediave të lira dhe institucionet e dobëta demokratike”, tha KDI.
Për herë të parë Kosova është bërë pjesë e këtij vlerësimi më 2012, por që nga atëherë progresi i shtetit në luftën ndaj korrupsionit ka qenë i ngadaltë. E, brenda pesë vjetësh, Kosova ka shënuar përmirësimin më të madh, krahasuar me vendet e tjera të rajonit.
Në krye të listës së Indeksit janë si rëndom, Danimarka, Finlanda dhe Singapori, ndërsa në fund, si vende me probleme të thella në luftim të korrupsionit janë Sudani i Jugut, Somalia, Venezuela dhe Siria.