Kosova për herë të parë është bërë donatore në Agjencinë ndërkombëtare për Zhvillim të Bankës Botërore, fond ky që ndihmon shtetet e varfra. Zëvendëspresidenti i këtij institucioni, Akihiko Nisho, tha se kalimi nga përfitues në kontribuues është dëshmi për qëndrueshmërinë e Kosovës në skenën ndërkombëtare
Nga përfituese e fondeve të Bankës Botërore, Kosova ka vendosur që të bëhet donatore në Agjencinë Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA-21) një fond që ndihmon vendet e varfra në botë.
Zëvendëspresidenti i Bankës Botërore për Financimin e Zhvillimit, Akihiko Nishio, në një konferencë për media të hënën me ministrin e Financave, Hekuran Murati, tha se kjo është dëshmi për qëndrueshmërinë e Kosovës në skenën ndërkombëtare.
“Ky kalim nga përfitues në kontribuues është një rrëfim i rrallë dhe i jashtëzakonshëm, i cili flet për qëndrueshmërinë, vizionin dhe përkushtimin e palëkundur të Kosovës ndaj progresit. Vendimi juaj për të kontribuar në IDA-21 fuqizon objektivat tona të përbashkëta: zhdukjen e varfërisë dhe ndërtimin e shoqërive të barabarta. Ai na sfidon të gjithëve të rishpikim atë që është e mundur kur vendet ndjekin rrugën e tyre me vendosmëri. Vendosmëria çon në rritje kur kultivohet me partneritet, dhe kjo mund të kapërcejë kufijtë dhe brezat”, tha Nishio.
Kosova deri më tani ka përfituar 376 milionë euro nga Banka Botërore përmes marrëveshjeve të nënshkruara dhe të ratifikuara në Kuvend.
E ministri i Financave, Hekuran Murati, u shpreh se Kosova për herë të parë ka marrë pjesë si shtet donator në mbledhjen e fundit për rimbushjen e fondit të IDA-s.
Murati ka folur edhe për bashkëpunimin me Bankën Botërore, duke e cilësuar këtë institucion si partner krucial
"Sa i përket financimit dhe bashkëpunimit që kemi me Bankën Botërore mund të them se është një partner krucial në zhvillimin gjithëpërfshirës të shtetit tonë. Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim ka qenë mbështetëse dhe Kosova tash e 15 vjet është anëtare e Bankës Botërore dhe tash e 15 vjet ka përfituar nga mbështetja e vazhdueshme nga Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim. Deri më tani sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare është mbështetësi me vëllimin më të madh që kemi aktualisht. Kontratat deri më tani të nënshkruara dhe të ratifikuara janë 376 milionë euro, ndërkaq mbështetja që është disbursuar është 289 milionë euro deri më tani”, tha Murati.
Ministri i Financave ka theksuar se me këtë institucion janë duke punuar edhe për marrëveshje të tjera, që ndërlidhen me tregtinë, transportin dhe lehtësimin e rritjen e eksportit.