Organizatat e shoqërisë civile, GLPS, GAP dhe INDEP, i kanë kërkuar Qeverisë që Ndërmarrjen e Re Energjetike të Kosovës, e cila prej vitesh nuk ka kurrfarë funksioni ose ta mbyllë, ose ta ridestinojë të ardhmen e saj. Kjo ndërmarrje, ndonëse nuk kryen punë, ia harxhon buxhetit të shtetit rreth 100 mijë euro në vit vetëm për paga
Tri organizata të shoqërisë civile i kanë kërkuar Qeverisë që Ndërmarrjen e Re Energjetike të Kosovës (NKEC) ose ta shuajë, ose t’i japë rol në tregun e energjisë.
Kjo ndërmarrje prej vitesh është pa funksion, por vetëm brenda vitit 2022 harxhoi nga buxheti i shtetit afër 100 mijë euro në paga për shtatë anëtarë të saj.
Ndërmarrja NKEC është themeluar për të menaxhuar kontratën e ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re” nga ‘Contour Global’, por ky projekt është anuluar që nga marsi i 2020.
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), nëpërmjet një reagimi kanë shprehur shqetësimin për mosveprimin e Qeverisë në raport me këtë ndërmarrje, e cila kryen shpenzime buxhetore nga paratë publike, por nuk kryen asnjë funksion.
“NKEC nuk ka nisur asnjëherë operimin efektiv duke mos mbuluar asnjë pjesë në tregun e energjisë në vend... Në vitin 2020, edhe Zyra Kombëtare e Auditimit kishte rekomanduar që në rast të anulimit të projektit “Kosova e re”, ‘bordi i drejtorëve në bashkëpunim me Qeverinë (aksionarin) duhet të kenë vizion të qartë se si do të jetë e ardhmja e ndërmarrjes’, duke marrë parasysh se i gjithë fushëveprimi i kësaj ndërmarrjeje ndërlidhej me realizimin ose jo të një projekti të vetëm (Kosovës së Re). Përkundër kësaj, Qeveria duke mos e mbyllur këtë ndërmarrje ose duke mos i dhënë rol tjetër në tregun e energjisë, po lejon që ajo të jetë barrë buxhetore për vendin”, thuhet në reagim.
Pas shkarkimit të bordit të vjetër, në qershor të këtij viti, Qeveria emëroi anëtarët e rinj të bordit të përkohshëm, ndonëse ndërmarrja nuk operon.
KOHA ka dërguar pyetje edhe në Qeveri e edhe në Ministrinë e Ekonomisë lidhur me funksionin që ka aktualisht kjo ndërmarrje dhe për arsyet se pse vazhdon të mbahet aktive ajo, por nuk ka marrë përgjigje.
Ndërmarrja nuk ka as webfaqe, as adresë e as numra kontaktues.
Shoqëria civile e ka rikujtuar një komunikatë të Lëvizjes Vetëvendosje të vitit 2019, në të cilën është theksuar se NKEC do të jetë vrima e zezë e buxhetit të Kosovës në dekadat e ardhshme.