LAJMET E MBRËMJES

Kosova bën hapin e parë për prodhimin e municionit dhe krijimin e laboratorit për dizajnim të dronëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nënshkruar të mërkurën vendimin, përmes të cilit i çelet rrugë hapjes së një fabrike për prodhimin e municioneve dhe krijimin e një laboratori për dizajnim të dronëve. Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë se vendimi është i koordinuar edhe me aleatët kryesorë në armatosjen e FSK-së, përfshirë Shtetet e Bashkuara, ndërsa fizibilitetin për hapjen e fabrikës, sipas tij, e ka kryer Turqia

Qeveria e Kosovës e ka bërë hapin e parë drejt hapjes së një fabrike për prodhimin e municionit dhe një laborator për dizajnimin e fluturakeve pa pilot. Nënshkrimin e vendimit e konfirmoi kryeministri Albin Kurti në hapjen e mbledhjes së Qeverisë të mërkurën, që përkon me shënimin e Ditës së Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). 

“Mbledhja e sotme përkon me Ditën e Forcës, dhe këtë po e shënojmë me një vendim të rëndësishëm qe e nënshkrova para mbledhjes dhe një hap të domosdoshëm për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Me këtë vendim do të themelojmë komisionin ndërministror për hapjen e fabrikës së municionit dhe laboratorin për dizajnimin e fluturakeve pa pilot. Me sot hedhim hapat e parë për ngritjen e industrisë ushtarake”, ka theksuar Kurti. 

Në konferencën për medie, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se vendimi erdhi pas konsultave dhe ndihmës që ka ofruar shteti i Turqisë në kryerjen e fizibilitetit. Sipas tij, vendimi është i koordinuar edhe me aleatin strategjik të Kosovës në ngritjen e kapaciteteve ushtarake- Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA). 

“Patjetër që ne asnjë hap nuk e ndërmarrim pa u konsultuar me të gjithë partnerët, në veçanti SHBA-në që janë partneri ynë kryesor strategjik në zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së. Është projekt i Qeverisë dhe nuk ndërhyn në planin e tranzicionit që zhvillohet kryesisht mbi objektivat e planit gjithëpërfshirës, të hartuar në bashkëpunim me SHBA-në. Hapja e fabrikës do t’i kontribuojë qëndrueshmërisë logjistike jo vetëm të Ministrisë së Mbrojtjes, por edhe të tjerave që u nevojitet armatim dhe kjo do të bëhet sipas standardeve të NATO-s”, u shpreh Maqedonci. 

Por Qeveria nuk e ka bërë të ditur koston për hapjen e dy industrive dhe llojin e municionit që do të prodhohet. 

“Fokusi është fillimisht prodhimi i municionit bazë dhe për këtë ne jemi tani në fazën kur fillojnë diskutimet e detajuara, ku përfshihet çmimi dhe produktet që planifikojmë t’i prodhojmë në Republikën e Kosovës”, ka theksuar Maqedonci. “Do të diskutohet hapja e një laboratori për prodhimin e fluturakeve pa pilot të llojit që po aplikohen në luftërat e fundit në Ukrainë e Lindje të Mesme. Përmes këtij laboratori, vendi ka mundësi që të punojë në dizajnimin e këtyre fluturakeve. Edhe për këtë kemi diskutime me shumë partnerë dhe informacionet e tjera do të jepen ditët dhe muajt në vijim. Me hapjen e fabrikës së municionit dhe dizajnimin e fluturakeve, hapi ynë po bën një hap tutje në kompletimin e infrastrukturës së mbrojtjes dhe sigurisë, duke garantuar siguri për vendin tonë”. 

Sipas Maqedoncit, do të inkurajohen edhe kompanitë private që të hapin fabrika për prodhimin e municionit. 

“Kjo nuk e pengon sektorin privat për prodhimin e municionit, të gjitha kompanitë inkurajohen për hapjen e tyre. Sot më shumë se kurrë ka nevojë për plotësimin e stoqeve të armëve dhe krijimin e rezervave, duke pasur parasysh gjendjen aktuale të sigurisë dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet bota dhe rajoni ynë”, ka thënë ai. 

I pyetur për problemet rreth furnizimit të ushtarëve me ushqim, Maqedonci tha se kjo nuk ka qenë problematike dhe se me aplikimin e konceptit të vetëqëndrueshmërisë, ushqimi do të jetë më cilësor. 

Në mbledhjen e Qeverisë është përditësuar Lista Shtetërore Strategjike për Mallra Ushtarake, duke iu referuar Listës së Përbashkët Ushtarake të Bashkimit Evropian. Sipas ekzekutivit, ky vendim është konform pozicionit të përbashkët të Këshillit të BE-së, i cili përcakton rregullat e përbashkëta për kontrollin e eksporteve të teknologjisë dhe pajisjeve ushtarake. 

“Pra, bëhet fjalë për mallrat që vihen nën kontroll për shkaqe të sigurisë kombëtare, politikës së jashtme, sigurisë publike ose për arsye të të drejtave të njeriut”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit. 

Ministri Maqedonci ka komentuar edhe për mundësinë e zbarkimit të FSK-së në veri, nëse paraqitet nevoja. Sipas tij, për ta vazhdon të jetë e vlefshme marrëveshja me NATO-n, sipas së cilës shkuarja në veri mund të bëhet vetëm me lejen e posaçme të komandantit të KFOR-it.