“Dimensioni i parë është krijimi i mekanizmave të fuqishëm për ruajtjen dhe mbrojtjen e identitetit, kulturës dhe gjuhës së popullit tonë në mërgatë dhe aspekti i dytë është si ta bëjmë mërgatën komponent vendimtar ekonomik të zhvillimit ekonomik të Kosovës”, ka thënë kryeparlamentari, tek u është drejtuar në Kuvend pjesëmarrësve të konferencës “Diaspora Flet 2023”
Në ditën e fundit të saj, konferenca “Diaspora Flet 2023” është zhvendosur në ambientit e Kuvendit të Kosovës.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca u tha pjesëmarrësve të shtunën se Kuvendi është shtëpia e tyre.
Në fjalimin e tij ai theksoi se çdo e arritur e Kosovës e ka në themel kontributin e diasporës.
“Gjithçka që kemi arritur të ndërtojmë si popull e ka në themel kontributin dhe ndihmën vendimtare të mërgatës sonë”, ka thënë kryeparlamentari Konjufca. “Ky kontribut i mërgatës sonë ka qenë konstant dhe vjen deri tek organizmi i luftës sonë të lavdishme çlirimtare në krye me UÇK-në, një përpjekje madhështore e popullit tonë, e cila kishe dy qëllime bazike: e kishte arritjen e lirisë sonë; dhe vendosjen e një shteti të fuqishëm, që do të ishte streha jonë politike dhe shtëpia ku jeton i lirë populli i Kosovës”.
Nëse kontributi i diasporës ishte një kapitull, sipas Konjufcës, tashmë ka ardhur koha që të hapet kapitull i dytë në raport me mërgatën e që ka të bëjë me ruajtjen e identitetit dhe kulturës shqiptare, si dhe atë të kontributit ekonomik.
“Dimensioni i parë është krijimi i mekanizmave të fuqishëm për ruajtjen dhe mbrojtjen e identitetit, kulturës dhe gjuhës së popullit tonë në mërgatë dhe aspekti i dytë është si ta bëjmë mërgatën komponent vendimtar ekonomik të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Këto dyja mendoj janë dy shtylla, dy portat kryesore të hapjes së kapitullit të dytë”, ka thënë ai.
Konjufca u bëri thirrje shtetit të Shqipërisë dhe të Kosovës që të bëjnë më shumë për edukimin dhe arsimimin e fëmijëve në diasporë. Sipas tij, fjala “kosto” nuk duhet të jetë në fjalorin e dy vendeve kur bëhet fjalë për këtë investim.
“Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë është momenti i fundit që ta realizojnë këtë projekt, i cili është projekt nacional dhe për të realizuar këtë projekt jemi të vetëdijshëm se cili është procesi i cili e mundëson, ose më saktë, cili është regjistri në të cilin zhvillohet ai mekanizëm i mbrojtjes së kulturës dhe identitetit dhe gjuhës sonë – pa dyshim që është edukimi dhe arsimi”, ka thënë kryeparlamentari Konjufca. “Edukimi dhe arsimi na e mundëson këtë, sepse fëmijët e mërgimtarëve, të cilët janë të lindur të cilët po rriten atje, të cilët janë të integruar shumë mirë edhe në shoqëritë ku jetojnë, kanë mbi të gjitha nevojë për shkollën që është e organizuar, e cila drejtpërdrejt organizohet prej Republikës së Kosovës dhe e cila me keqardhje them dhe pak që besa edhe me faj, nuk ka arritur të organizohet deri tash”.
Një ditë më parë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se me Ligjin e ri për zgjedhjet do t’i jepet fund një padrejtësie të kamotshme ndaj diasporës, duke ua mundësuar atyre votimin në misionet diplomatike të Kosovës.
Të shtunën në Kuvend, konferenca ka vijuar punimet me diskutime të pjesëmarrësve, nën udhëheqjen e përfaqësuesit të organizatës “GERMIN”, Lirim Krasniqi.
Para pjesëmarrësve, një fjalë rasti mbajti edhe deputetja Mimoza Kusari-Lila, e cila është kryetare e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes. Ndër të tjera, ajo ka thënë se Ligji i ri për zgjedhjet e përgjithshme, që pritet të rregullojë edhe votimin e shtetasve të Kosovës që jetojnë jashtë saj, ka unifikuar partitë politike dhe pritet ta marrë mbështetjen e të gjitha partive në Kuvend.
Në përmbyllje të konferencës kanë mbajtur fjalime Avni Mustafaj, bashkëkryesues i bordit të organizatës “GERMIN”, si dhe një numër pjesëmarrësish, përfshirë Anila Hyka-Smorgrav nga Franca, bashkëkryetare e bordit “GERMIN”; Rosario Petta, kryetar i Komunës së Horës së Arbëreshëve në Itali; Hilmi Gashi, pjesëtar i diasporës në Zvicër; Vjollca Robelli, këngëtare nga Mbretëria e Bashkuar; Muhamet Idrizi, pjesëtar i diasporës në Gjermani; dhe Nestor Dede, pjesëtar i diasporës në Greqi.