LAJMET E MBRËMJES

Konjufca: BE-ja s’mund t’ia marrë Kosovës të drejtën për draftstatutin veç pse është e fortë

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka reaguar ndaj Raportit të Progresit për Kosovën, ku është shprehur kritikë për mosprogres në formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Konjufca tha se BE-ja nuk mund t’ia marrë Kosovës të drejtën për të propozuar një draftstatut për Asociacionin e ta imponojë themelimin e tij mbi propozimin evropian. Qasjen e pushtetit për këtë çështje nga opozita e kanë vlerësuar si joserioze

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e konsideron grabitje të kompetencave shtetërore imponimin nga Bashkimi Evropian që drafti i tij për Asociacionit të dërgohet në Kushtetuese. 

Konjufca, duke folur të hënën për kritikat lidhur me mosthemelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të shprehura në Raportin e Progresit për Kosovën, tha se kjo qasje e evropianëve është diskriminuese dhe se vendi po trajtohet sikur të mos ishte shtet.

“Ne do të insistojmë deri në fund për të drejtën e Kosovës për të propozu një draft të Asociacionit të cilën kurrkush nuk mundet me na e marrë. Nuk mundet me na e marrë BE-ja këtë të drejtë vetëm se është e fortë, se është e fuqishme dhe vetëm se mundet me na kushtëzu ose me na vendosë masa. Në parim është e drejta jonë”, tha Konjufca. 

Sipas Konjufcës, drafti i propozuar nga Bashkimi Evropian vitin e shkuar mund të jetë konsultativ për Kosovën, por assesi i formatit “merre ose leje”.

Këtë qëndrim të pushtetit për Asociacionin, opozitarët e kanë vlerësuar si joserioz dhe për përfitime elektorale.

“Këta janë joseriozë. Këta vërter janë joseriozë. Këto nuk janë qëndrime të një burrështetasi, qëndrime shtetërore. Kjo është situatë e mjerueshme. Këtu veç një të mirë e kemi që jemi në prag të zgjedhjeve dhe të bindur që vendi do të ketë një qeveri të re. Nuk duhet me i marrë këto qëndrime tash seriozisht. Këto janë qëndrime në prag të zgjedhjeve elektorale”, tha shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

“Kosova duhet të zbatojë obligimet e veta, por duhet t`i zbatojë duke garantuar që opinioni i Gjykatës Kushtetuese mbi parimet për statutin të zbatohen, duke ruajtur integritetin territorial të Kosovës dhe duke ruajtur karakterin unitar të Kosovës”, tha shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi. 

“Jemi t’u fol për një standard të dyfishtë, për një standard të paparë deri më tash  që kurdo që duhet të folet për mirëqenien kthehemi te ura, kthehemi te Asociacioni për shkak se nuk kanë çka flasin tjetër gjë”, tha shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri. 

Në draftraportin e Progresit për Kosovën, që e ka siguruar KOHA, mes tjerash, thuhet se nuk ka pasur progres në implementimin e marrëveshjes për Asociacionin.

Aty theksohet se propozimi i BE-së për draftstatutin është i duhuri dhe kërkohet nga Kosova që të angazhohet në mënyrë konstruktive në themelimin e Asociacionit.