Është hedhur poshtë kërkesa e mbrojtjes për kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt. Gjykata Themelore në Prishtinë ka vlerësuar se kërkesat e avokatëve mbrojtës janë të pabazuara, duke e lënë në fuqi aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore më 15 janar 2025
Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar të hënën aktakuzën ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, më 29 nëntor 2023 në Bërnicë të Prishtinës.
Kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hedhje të aktakuzës e kanë bërë avokatët Teuta Zhinipotoku, Skender Gojani dhe Ndrecë Dodaj, secili veç e veç.
Por ato nuk janë marrë parasysh nga gjykata.
“Refuzohen kërkesat për kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, nën shenjën PP.1.nr.256/2023, e datës 15.01.2025”, thuhet në vendimin e Themelores.
Mbrojtësit e të akuzuarit Naim Murseli, avokatët Teuta Zhinipotoku dhe Shemsedin kërkesën e kanë parashtruar me arsyetimin se provat nuk janë marrë në mënyrë të ligjshme.
Sipas avokatëve të Murselit, aktakuza e Prokurorisë duhet të hidhet për shkak se nuk përmban prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se klienti i tyre ka kryer veprën e cila i vihet në barrë.
Kanë thënë se edhe intervistimi i të akuzuarit është bërë pa prezencën e mbrojtjes.
Por gjykata i ka hedhur poshtë këto pretendime, raporton Betimi për Drejtësi.
“Andaj edhe këto pretendime të mbrojtësve të të akuzuarit Naim Murseli, Gjykata i vlerëson si jo të sakta, të pabazuara dhe vetëm për të krijuar mjegull dhe paqartësi, kinse i njëjti është marrë në pyetje në kundërshtim me dispozitat ligjore të KPP, por që provat provojnë të kundërtën”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Naim Murseli dyshohet se ka organizuar vrasjen e bashkëshortes së tij për motive hakmarrjeje dhe përfitim financiar nga një sigurim jetësor në Suedi në vlerë prej rreth 260 mijë eurosh. Për vrasjen, në aktakuzë thuhet se e ka planifikuar bashkë me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, duke i porositur për ta kryer vrasjen në këmbim të një pagese prej 30 mijë eurosh.
Në ditën e vrasjes, sipas aktakuzës, Murseli ka siguruar armën me 20 fishekë nga i akuzuari Tom Dodaj, për çmimin prej 280 eurosh.
Në seancën fillestare më 31 janar 2025, Murseli është deklaruar i pafajshëm. Plava nuk është deklaruar rreth fajësisë, ndërsa Kokalla ka kërkuar kohë për t’u konsultuar me mbrojtjen.
Ndërkohë, Tom Dodaj e ka pranuar fajësinë për shitjen e armës dhe është dënuar me 5 vjet burgim dhe një gjobë prej 5 mijë eurosh.