LAJMET E MBRËMJES

Komuna e Prishtinës kërkon kujdes nga qytetarët në raste të erërave të forta

Drejtuesit e Komunës së Prishtinës kanë thënë se kanë parandaluar rreziqet që mund të shkaktohen nga erërat duke intervenuar në shumë vende. Zyrtarët komunalë u bëjnë thirrje qytetarëve t’i minimizojnë lëvizjes në qytet dhe afër objekteve sa herë që ka erëra të fuqishme.

Prej më shumë se një orë, një pjesë e sheshit “Nënë Tereza”, në qendër të Prishtinës, ka qëndruar e bllokuar, pasi që kulmi i një objekti banesor ka paraqitur rrezik se mund të bjerë në tokë për shkak të erërave të fuqishme.

Zyrtarët komunalë kanë njoftuar se gjatë ditës kanë intervenuar në disa raste kur erërat dhe zjarret kanë paraqitur rrezik për qytetarët.

Qytetarët që jetojnë afër sheshit kanë thënë se sa herë që ka erëra të tilla ndihen të rrezikuar.

“Duhet të riparohen ndërtesat sepse çdo ditë ka rënie të betonit që mund të shikohen. Komuna duhet t’i riparon këto ndërtesa me i shikuar ose t’i ngjyros komplet, përndryshe rrezik i madh është”, ka theksuar qytetari Durmet Nebiu.

“Këto duhet të kontrollohen dhe të shikohen sepse bie poshtë dhe e mbyt njeriun sikur te komuna atje. Kryetari i Komunës del dhe shet men e bëj këtë e bëj atë, asgjë s’ka bërë hiç. Veç i ka bllokuar rrugët dhe as një banja publike nuk e ka rregulluar”, ka theksuar një tjetër qytetar.

Drejtori për Siguri dhe Emergjencë në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, ka thënë se që nga mëngjesi i kanë njoftuar qytetarët përmes faqes zyrtare që të kenë kujdes shkaku i erërave të fuqishme.

Ai ka kërkuar se në rastet e tilla qytetarët duhet edhe t’i minimizojnë lëvizjes në qytet dhe përreth objekteve banesore.

“Kjo është njëra prej incidenteve që kanë ndodhur në kryeqytet. Për fat të mirë jemi duke e parandaluar dhe nuk kemi pasur të lënduar apo ndonjë dëmtim tjetër të aspektit material. Në këto raste duhet të jemi të kujdesshëm pasi që erërat klimatike dhe erërat e forta janë bërë pjesë e jetës sonë të përditshme”, ka deklaruar ai.

Fushtica ka treguar se kanë intervenuar edhe në disa shtëpi të banimit në kryeqytet e në Obiliq.

Ka thënë se brigada e zjarrfikësve e përfshinë edhe Obiliqin, Fushë-Kosovën Graçanicën dhe komunat përreth për arsye se nuk kanë shërbime të tilla.