LAJMET E MBRËMJES

Komuna e Prishtinës dështon sërish të kalojë buxhetin për vitin 2025

Në mungesë të opozitës, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka dështuar që ta miratojë buxhetin e Komunës për vitin 2025. Në seancë nuk kanë marrë pjesë asamblistët e Partisë Demokratike të Kosovës, ndërkohë që ata të Lëvizjes Vetëvendosje janë larguar nga salla. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kritikuar partitë opozitare për siç ka thënë “bllokim të projekteve”

Ka dështuar sërish të votohet buxheti i Komunës së Prishtinës për vitin 2025.

Mbledhja e së hënës është bojkotuar nga Partia Demokratike e Kosovës, kurse asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk qëndruan në sallë në kohën e votimit.

Gëzim Sveçla nga LVV-ja, ka thënë se nuk do ta votojnë një buxhet pa përmbajtje, sipas tij. Ka folur edhe për takimet që si subjekt kishin me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, e ku sipas tij, u tentua të bëhej Pazar në këmbim të votës

“Takimi i parë pas seancës, takimi tjetër ka qenë të premten. Prezenca jonë në këto takime ka tregu vullnetin tonë për mos bllokim. Menduam qe ndoshta keni arritur të kontrabandoni asamblistë. Prapë kërkoni përkrahje bllanko për këtë buxhet qe s’ka ndryshua asgjë. Është një moment kritik, ne kemi shprehur”, ka thënë Sveçla.

Përveç nga opozita, kryetari Rama nuk e pati përkrahjen për votimin e buxhetit as nga një pjesë e partisë së tij, pasi që për herë të dytë disa asamblistë të LDK-së nuk ishin të pranishëm në sallë në kohën kur duhej të votohej.

Mosvotimin e buxhetit, kryetari Përparim Rama e ka quajtur bllokadë, që opozita po mundohet t’ua bëjë projekteve të mëdha dhe zhvillimit të kryeqytetit.

“Të gjitha procedurat i kemi diskutuar dhe i kemi treguar në seanca të tjera. Planifikimi është shumë transparent. Të gjitha kërkesat janë marrë dhe drejtoritë i kanë pasur parasysh. Kemi bërë një punë të madhe për projekte të tanishme. Nuk mundemi vetëm me buxhetin e Investimeve kapitale për të bërë të gjitha këto. Ato që thatë nuk janë të vërteta aspak”, ka thënë Rama.

Buxheti për vitin e ardhshëm dështoi të votohej edhe më 18 shtator.

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se me Ligjin për vetëqeverisje lokale, nëse Komuna nuk e miraton buxhetin brenda afatit ligjor, Qeveria mund ta bëjë shpërndarjen e kuvendit komunal.

“Në neni 50 pika 2 thuhet që Kuvendi i komunës konsiderohet jofunksional nëse nuk miraton buxhetin në afatin e paraparë. Me legjislacionin në fuqi deri më 30 shtator t’i aprovojnë projeksionet buxhetore, në mënyrë që këto buxhete të dërgohen në Qeveri... qeveria mund ta merr një vendim për shpërbërjen e Kuvendit Komunal nëse nuk votohen me kohë buxhetet”, ka thënë Ibrahimi.

Sipas tij, nëse buxheti nuk arrin të votohet në afatet ligjore, Komuna mund ta shfrytëzojë buxhetin aktual deri më një mars të vitit të ardhshëm.

Për vitin 2025, Komuna e Prishtinës ka ndarë 128 milionë euro buxhet, prej tyre 80 për qind janë të destinuara për shpenzime komunale dhe 40 për qind për investime kapitale.

Por para se të shfrytëzohet ky buxhet, duhet të votohet.