LAJMET E MBRËMJES

Komisioni shqyrtoi Projektligjin për tekste mësimore, opozita thotë se u miratua pa kuorum

Komisioni parlamentar për Arsim ka shqyrtuar Projektligjin për tekste shkollore, për të cilin deputetët opozitarë thonë se është miratuar në lexim të parë pa pasur kuorum. Kryetari i Komisionit për Arsim dhe ministrja e Arsimit arsyetuan vijimin e procedurës deri në miratimin final të Projektligjit

Deputetët e partisë në pushtet kanë miratuar në Komisionin për arsim 11 amendamente të Projektligjit për tekste shkollore, votimin e të cilit në lexim të parë opozita e ka quajtur të jashtëligjshëm.

Sipas ligjvënësve të partive në opozitë, në seancën plenare të 7 marsit, projektligji është miratuar në parim pa qenë kuorumi i mjaftueshëm në sallë. Shkaku i kësaj, të premten ata e bojkotuan mbledhjen e Komisionit parlamentar ku është shqyrtuar ky projektligji.

Por, kryetari i Komisionit, Ardian Gola, tha se forumi që e drejton nuk ka kompetencë për të ndalur procedimin e Projektligjit, përderisa kryetari i Kuvendit e ka konstatuar miratimin e tij në parim.

“Nëse ka diçka kontestuese ashtu siç po ngrihet edhe nga opozita, atëherë është pikërisht Komisioni për Legjislacion, për Mandate dhe për Rregulloren e Kuvendit ai i cili e ka për mandat për të interpretuar një rast specifik nëse është shkelur rregullorja ose jo. Kështu që ne si komision nuk guxojmë ta ndalim automatizimin e kësaj procedure”, ka deklaruar Gola. 

E ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se mbështetja e këtij projektligji është në interes të përgjithshëm pasi, sipas saj, dokumenti do të sjellë cilësi në arsim. Edhe ajo mohoi pretendimet e opozitës përkitazi me ligjshmërinë e procedurës së votimit të projektligjit në lexim të parë.

“Nuk ka asnjë dyshim që tekstet kanë nevojë të përmirësohen dhe PDK-ja apo kushdo çoftë tjetër që synon të punojë për të mirën e fëmijëve tanë, do të duhej  të paraqesin argumente e jo shpifje. Ajo çka ne kemi bërë me këtë ligj është që si Qeveri kemi arritur që të finalizojmë një ligj që për së paku dhjetë vjet, të gjitha qeveritë e kanë nisur si punë e nuk e kanë finalizuar asnjë herë. Është më mirë që të na tregojnë cilat janë arsyet e tyre, cilat janë arsyet konkrete dhe jo të pengojnë punën në interes të së mirës së përgjithshme”, është shprehur Nagavci. 

Përveç opozitës, çështjen e ligjshmërisë së votimit e kanë kontestuar edhe deputetët e pushtetit, Visar Korenica dhe Eman Rrahmani.