Komisioni i Venecias nuk e përkrah rritjen e numrit të anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, por as nuk kërkon me ngulm që të hiqet dorë nga kjo ide, ka thënë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të hënën, në një konferencë për media. Teksa foli për qëllimet e Qeverisë për reformat në drejtësi dhe disa ndryshime në Ligjin Prokurorial, ajo ka thënë se Komisioni i Venecias parasheh rreziqe nga shtimi i numrit të anëtarëve të Këshillit Prokurorial.
“Ne kemi bërë dy ndryshime në ligjin të cilin e kemi proceduar në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Së pari përbërjen permanente prej 7 anëtarëve - 3 prokurorë, Kryeprokurorin e Shtetit dhe 3 anëtarë joprokurorë, pra gjithsej 7, e cila do të fillojë së funksionuari më 19 deri në janar 2026. Gjithashtu kemi propozuar përbërjen apo rritjen e përkohshme të anëtarëve të Këshillit nga 13 anëtarë sa i parasheh ligji aktualisht në 19 anëtarë deri në janar të vitit 2026”, ka thënë Haxhiu.
Sipas saj, Qeveria nuk do të zmbrapset nga nisma për reforma. Vendimet e fundit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, ka thënë ajo, dëshmojnë se reforma në këtë institucion është e rëndësishme.
“Komisioni i Venecias nuk e përkrah rritjen e përkohshme të numrit të anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, kjo për disa arsye: vështirësitë që Kuvendi mund t’i ketë të zgjedhë një numër aq të madh të anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, po ashtu mundësitë tona kushtetuese, faktin që gjithë këta anëtarë zgjidhen me shumicë të thjeshtë në Kuvend, ashtu siç parasheh Kushtetuta jonë”, ka thënë Haxhiu.
Ministrja e Drejtësisë ka sqaruar se në Komisionin e Venecias kanë propozuar të drejtën në ankesë ndaj vendimeve të Këshillit për emërim dhe riemërim të prokurorëve në Gjykatën Supreme, gjithashtu kanë propozuar rregulla për eliminimin e konfliktit të interesit, publikimin e vendimeve të Këshillit dhe aspektet e tjera të ngritjes së transparencës, por edhe ndryshimet e tjera shtesë të cilat janë të rëndësishme për funksionimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës.
“Nga dita e parë qëkur e kemi nisur këtë reformë, kemi konsideruar se qëllimi është që Këshilli Prokurorial të funksionojë në përputhje me standardet ndërkombëtare. E posaçërisht ato të Komisionit të Venecias. Është e rëndësishme që Këshilli Prokurorial i Kosovës të jetë institucion i pavarur kushtetues, të ketë debat e diskutim demokratik në kuadër të anëtarëve prokurorë dhe anëtarëve joprokurorë, sepse, siç e dini, për momentin kemi probleme shumë të mëdha me Këshillin Prokurorial të Kosovës. Vetëm vendimet e fundit të Këshillit Prokurorial na kanë dëshmuar që reforma në këtë institucion është jashtëzakonisht e rëndësishme”, ka shtuar ajo.
Haxhiu është shprehur se për reforma në drejtësi duhet edhe mbështetja e opozitës e cila, sipas saj, shpeshherë i ka penguar ato. Po ashtu ka deklaruar se nuk pret reflektim nga Serbia, sidomos nëse nuk ka presion ndërkombëtar që t’i dorëzojë ata që kryen sulm terrorist në Banjskë, në krye me Milan Radoiçiqin.