Projektligji mbi ndarjet buxhetore për vitin 2023 ka qenë projektligji më i diskutuar këtë të martë në komisionet parlamentare.
Rezerva shtetërore për naftën është rritur shumëfish, përmes këtij projektligji ka thënë para Komisionit për industri e ndërmarrësi ministrja Rozeta Hajdari.
Sipas saj, rezervat e naftës mund të jenë kusht për anëtarësim në BE.
“Jemi të kënaqur me buxhetin. Për 7 sektorët industrialë janë me rëndësi që të përkrahen për vitin e ardhshëm. Kroacia ka pasur problem për anëtarësim ne BE, i ka ndihmuar Gjermania, edhe Kosova mund të hasë në një problem të tillë për anëtarësim në BE, dhe ky mund të jetë kusht edhe për Kosovën”., tha Hajdari.
E përmes Projektligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2023, sipas ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për herë të parë po financohen projekte për ujëra të zeza në tri qytete të Kosovës që kapin vlerën e 22 milionë eurove.
“Për herë të parë janë tri projekte të reja që kanë të bëjnë me ujërat e zeza në Prishtinë, Gjilan dhe Mitrovicë, të cila së bashku janë në vlerë prej 22 milionë eurosh. Sa i përket Departamentit të Teknologjisë dhe Komunikimit i kemi disa projekte të reja, këtu janë krijimi për infrastrukturën fizike të komunikimeve që është projekt kyç për zbatimin e ligjit për uljen e kostos së ofrimit të internetit në vend”, tha Rizvanolli.
Por zhvillimi i ndërmarrjes “Trepça” shkaktoi përplasje mes deputetëve të opozitës dhe atyre të pushtetit.
“Ende vazhdon me rënduar në buxhetin e Kosovës, po çka është e rëndësishme të hyrat nga plumbi dhe zinku tani kanë mbërri në 3 milionë euro, kurse deri në fund të vitit parashikohen të arrihen deri në 17 milionë euro. Është dyfishim 100% rritje krahasuar me vitin 2020. Cilat janë arsyet e dyfishimit në shitje të ndërmarrjes ‘Trepça’”, tha deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja.
Dek 2: Ferat Shala- kryetar i Komisionit, PDK
“Çështja e Trustit të punëtorëve nuk ekziston nga periudhat e kaluara. Manipulimet me shifër të rentës, sepse ‘Trepça’ nga hyrja në fuqi e Ligjit për ‘Trepçën’ nuk ka obligime, sepse obligimet i kalojnë AKP-së. Mos manipuloni, ka ligj, ka rregulla. E kemi pas obligim me e vizituar ‘Trepçën’ dhe me e rishikuar Ligjin për ‘Trepçën’”, tha Ferat Shala i PDK-së, që është kryetar i Komisionit.
Buxheti i ndarë për vitin 2023, për Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës pritet të jetë mbi 250 milionë euro, ka thënë në Komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, ministri Liburn Aliu, ku u diskutua po ashtu Projektligji për buxhetin.
“Totali i buxhetit të ndarë për MMPHI për vitin 2023 është 251 milionë euro. Koncentrimin për ndarjen e buxhetit e kemi bërë tek projektet më madhore. Pra, tash jemi duke hyrë tek projektet për vitin 2023, duke krahasuar më vitin 2022, Autostrada Prishtinë-Gjilan për vitin 2023 janë ndarë 27 milionë euro, në buxhetin e viti 2022 kanë qenë 5 milionë euro, zgjerimi i rrugës Dollc- Gjakovë në vitin 2023 janë paraparë 11 milionë euro, në vitin 2022 ka qenë 2.5 milionë euro, në ndërtimin e rrugës Prishtinë-Podujevë janë paraparë 6 milionë euro”, tha Aliu.
Por ndarjet buxhetore nga opozita u cilësuan si politike.
“Po e shoh që është një rritje e buxhetit, por nuk është rritje e madhe, por duke parë që nuk e keni arrit ta shpenzoni buxhetin, në rrethana normale nuk rritet buxheti për vitin e ardhshëm. Duket që është buxhet politik, nuk është i drejtë ky buxhet”, tha deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.
Projektligji për ndarjet buxhetore është diskutuar edhe në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, si dhe në atë për Mbikëqyrjen e Financave Publike.