LAJMET E MBRËMJES

KOMF: Numri i psikologëve të angazhuar në shkolla nuk i plotëson nevojat

Për fëmijët me aftësi të kufizuara, të hënën u organizua edhe një konferencë nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve. Përpos numrit të vogël të asistentëve, u përmendën edhe defekte të tjera në sistemin arsimor, të cilat shërbejnë në drejtim të kundërt me integrimin e këtyre fëmijëve në shkolla.

Numri i vogël i psikologëve në shkolla po konsiderohet si i pamjaftueshëm për t’i përmbushur nevojat e fëmijëve me aftësi të kufizuara, sipas Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve.

Remzije Krasniqi, kryetare e KOMF-it, tha se përkundër investimeve të mëdha  infrastrukturore Kosova ka arritur kënaqëshmëri sa i përket qasjes fizike në institucionet arsimore.

Krasniqi theksoi se në Kosovë një psikolog mbulon rreth 4 mijë nxënës në Kosovë.

“Po aq i vogël është edhe numri i psikologëve dhe pedagogëve në shkolla. Qe diku me rreth 200 sosh sa janë në të gjithë Kosovën, nuk i përmbushin as nevojat minimale të nxënësve, qoftë me aftësi të kufizuara por edhe të tjerët. Sepse një piskolog në shumicën e rasteve shërben në 3-4 shkolla”, tha Krasniqi.

Marije Vuksani nga “Terre des Hommes” u shpreh se në Kosovë vazhdon të jetë sfidë braktisja e shkollave.Ajo pati vërejtje edhe sa u përket parapërgatitjeve për mësimin gjithëditor.

“Mësimi gjithë ditor i rinisur si pilot në disa shkolla të Prishtinë, edhe pse shihet si një mundësi shumë e mirë për zhvillimin e plan programit dhe aktiviteteve të tjera ekstra-kurrikulare, kësaj here duhet të themi që qasja në planin logjistik dhe përgatitor në këto shkolla nuk ka qenë i mjaftueshëm”, tha Vuksani. 

Më 2 shtator ka nisur në Kosovë viti i ri shkollor 2024-2025, dhe risi këtë vit është zbatimi i planprogramit për mësim tërëditor në 5 shkolla në Prishtinë.