Në njoftimin e KFOR-it theksohet se ky mision do të vazhdojë të kontribuojë për një mjedis të sigurt në Kosovë. Gjeneralmajor Enrico Barduani vuri në dukje gjithashtu angazhimin që të sigurohet koordinimi dhe të zvogëlohet mundësia për veprime që mund të çojnë në tensione. E nga Zyra e Kryeministrit është thënë se Kurti ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me KFOR-in
Komandanti i ri i misionit të NATO-s, KFOR, Enrico Barduani, ka thënë të enjten se dialogu është platforma e vetme për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura.
Pas takimit që ka zhvilluar me kryeministrin Albin Kurti, në njoftimin e KFOR-it theksohet se ky mision do të vazhdojë të kontribuojë për një mjedis të sigurt në Kosovë.
“Unë kam përsëritur mbështetjen e plotë të KFOR-it për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si platforma e vetme për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura dhe arritjen e zgjidhjeve që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Kjo është kyçe për sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe për stabilitetin rajonal”, ka thënë Barduani, sipas njoftimit të KFOR-it.
Gjeneralmajor Barduani vuri në dukje gjithashtu angazhimin që të sigurohet koordinimi dhe të zvogëlohet mundësia për veprime që mund të çojnë në tensione.
Një nga çështjet, me të cilat nuk është pajtuar misioni i NATO-s në Kosovë së bashku edhe me partnerët e tjerë ndërkombëtarë është hapja e Urës së Ibrit.
Në takimin me kryeministrin Kurti, sipas njoftimit nga KFOR-i, është theksuar se Barduani do të angazhohet në sigurimin e koordinimit mes partnerëve e të zvogëlohet mundësia e veprimeve që mund të çojnë në tensione.
E nga Zyra e Kryeministrit është thënë se Kurti ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me KFOR-in.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani. Ai i uroi mirëseardhje në Kosovë dhe suksese në detyrën e re gjeneralmajorit Barduani, teksa shprehu gatishmërinë dhe vullnetin për bashkëpunim të afërt ndërmjet Qeverisë, institucioneve të sigurisë dhe KFOR-it. Biseduan rreth rëndësisë së komunikimit të rregullt dhe bashkërendimit në shërbim të sigurisë dhe paqes në vend, dhe bashkëpunimit dhe aktiviteteve të përbashkëta të KFOR-it e institucioneve të sigurisë së Kosovës. Kryeministri falënderoi KFOR-in për rolin dhe kontributin e vazhdueshëm në Kosovë”, thuhet në komunikatën e Kryeministrisë.
Në kohën sa Kurti ka zhvilluar takim me komandantin e KFOR-it, në Bruksel është zhvilluar rundi i ri i dialogut me Serbinë.
Kryeministri Kurti ka përsëritur kërkesat e tij karshi Serbisë.
“Për ne, më e rëndësishme është siguria legale dhe mirëbesimi në bisedime, që nënkupton nënshkrimin e marrëveshjes bazike me aneks të zbatimit, që nënkupton dorëzimin e Milan Radoiçiqit dhe të grupit të tij kriminal dhe që nënkupton tërheqjen e asaj letre të ish-kryeministres Bërnabiq kur para BE-së e 27 shteteve anëtare në Samitin e Brukselit në mes të dhjetorit të vitit të kaluar tha që nuk e zbaton integritetin territorial të Kosovës. Kjo është e papranueshme që integriteti territorial të mos respektohet”, ka thënë ai.
Komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani, të mërkurën ka takuar në Beograd shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura serbe, Milan Mojsiloviq, me të cilin ka biseduar për ruajtjen e stabilitetit në rajon.
Ai ka zëvendësuar në pozitën e komandantit të KFOR-it, Ozkan Ulutashin.