LAJMET E MBRËMJES

KMSHK-ja ngre alarmin për ndikimin negativ të teknologjisë në raportimin e saktë

Gjatë një tryeze të organizuar nga Këshilli i Mediave të Shkruara dhe OSBE-ja është ngritur alarmi për ndikimin negativ të teknologjisë në raportimin e saktë dhe në verifikimin e fakteve. 

Në tryezën me temën “Lajmet e rreme dhe verifikimi i fakteve në mediat online”, u diskutua roli i madh që ka Inteligjenca Artificiale dhe sfidat që ajo sjell për mediat.

Drejtori ekzekutiv i KMSHK-së, Imer Mushkolaj, ka thënë se pavarësisht ndryshimeve teknologjike, rregullat që definojnë lajmin mbeten të njëjta dhe ka kërkuar që ato të respektohen.

“Lajmi mbetet lajm dhe rregullat e raportimit janë rregulla të raportimit. Mund të ndryshojë dhe ndryshon natyrisht mënyra se si lajmi plasohet te të tjerët, pra tek publiku, por lajmi mbetet bazik, siç e mësojmë në shkollat e gazetarisë”, ka thënë Mushkolaj.

Në panelin e parë të tryezës është diskutuar për lirinë e shprehjes, vetrregullimin, luftimin e lajmeve të rrejshme dhe verifikimin e fakteve.

Kryeredaktorja e Grupit KOHA, Brikenda Rexhepi, ngriti shqetësimin për përdorimin jo të duhur të teknologjisë nga gazetarët e rinj dhe theksoi rëndësinë e konfirmimit të saktësisë së lajmeve para publikimit.

“Nuk ka kuptim që dikush ta bëjë punën e gazetarit e të mos verifikojë. Për ketë arsye ndoshta është mirë që krejt, edhe gazetarët, edhe gjeneratat e reja, edhe ne ta kuptojmë që nuk janë dy gjëra të ndara. Do të thotë, nuk shkon kurrqysh me qenë gazetar e mos me qenë verifikues ose me qenë redaktor e mos me qenë verifikues”, ka thënë Rexhepi.

E shefi i Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Muhamet Jahiri, ka theksuar se zhvillimi i inteligjencës artificiale ka rritur sfidat që sjell dezinformimi dhe tha se me fuqizimin e vetërregullimit, rritet kredibiliteti i mediave.

“Sot mediat kanë nevojë për një vetërregullim të brendshëm dhe të njëjtën kohë ta ngrenë edhe kredibilitetin por edhe transparencën me publikun, sepse në kohën që po jetojmë këta dy faktorë janë ata që bëjnë dallimin kur kemi të bëjmë me hapësirën publike”, ka deklaruar Jahiri.

Në tryezë është shprehur shqetësimi edhe për dobësitë në sistemin e drejtësisë, të cilat dekurajojnë palët që të ndjekin rrugët ligjore për realizimin e të drejtave të tyre.