LAJMET E MBRËMJES

Klinaku intervistohet nga Policia pas postimit për Kurtin

 Shkak për intervistimin e Faton Klinakut është bërë postimi në të cilin ai shkruan: “Më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iki nga Kosova”. Ky postim ka nxitur përplasje edhe mes eksponentëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe atyre të Partisë Demokratike (PDK). Pas akuzës që deputeti nga LVV-ja, Artan Abrashi, ia adresoi PDK-së se “nuk ka hequr dorë nga vrasjet politike si mjet”, nga ky subjekt opozitarë paralajmëruan padi kundër tij për shpifje

Me urdhër të Prokurorisë Speciale, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL) së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Faton Klinaku, është intervistuar të mërkurën nga Policia shkaku i një postimi në rrjetin social Facebook lidhur me kryeministrin Albin Kurti.

Klinaku është intervistuar për shkak të postimit në të cilin, tek ka replikuar me një votues të shqetësuar të Qeverisë aktuale, ka shkruar se më përpara do ta vriste kryeministrin sesa të mërgonte nga Kosova.

“Aq shumë i dëshpëruar votuesi i tij, saqë tha: Votën ia dhashë për ndryshim, e ndryshim lëre që nuk ka, por po shkojmë edhe më shumë teposhtë si vend dhe s'ka mbetur tjetër gjë pos me ikë jashtë. I thashë: As s’e kam votu, as ndryshim për të mirë kurrsesi që nuk e kam pritur nga ai, e sa i përket daljes jashtë, më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iki nga Kosova. P.S. Kosovën nuk duhet e as që guxojnë ta lëshojnë ata që kanë luftuar për të, ka shkruar ai.

Krahas Klinakut, edhe nënkryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, është cituar nga portali Front Online duke thënë se pajtohej me postimin e tij dhe se nuk do ta lëshonte kurrë Kosovën. E këto deklarata kanë nxitur reagime të shumta nga eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Artan Abrashi, deputet i LVV-së, e ka akuzuar Partinë Demokratike (PDK) se nuk ka hequr dorë nga vrasjet politike si mjet.
“Faton Klinaku ka qenë çdoherë konsistent. Vazhdimisht ka deklaruar dhe e deklaron mbështetjen e tij të hapur ndaj PDK-së. Përherë ka vepruar dhe vepron në koordinim të hapur me agjendën politike të PDK-së. OVL në krye me të ishte dhe është instrument politik i PDK-së. Faton Klinaku është ndërgjegjja e kulluar e PDK-së, instinkti i saj pa mbulesën e gjuhës së matur. Pse ndër mijëra fjalë për të ilustruar një mendim ai zgjodhi pikërisht fjalën vrasje? Kjo flet shumë. Është dëshmia e qartë se PDK-ja në regjistrin e saj të metodave ende nuk e ka braktisur vrasjen si mjet ndaj kundërshtarëve të vet”, ka shkruar Abrashi në rrjete sociale.
E për këtë qëndrim anëtari i Kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi, ka paralajmëruar padi kundër Abrashit për shpifje.

“PDK-ja tashmë ka përgatitur padinë për shpifje ndaj deputetit Artan Abrashi, e cila do t’u dorëzohet organeve të drejtësisë. Me shpifje të tilla do të merret vetëm drejtësia dhe ne presim që të gjithë, pa përjashtim, edhe zyrtarët publikë, të marrin dënimin e merituar. Megjithatë, as një deklaratë e tillë, e pabazuar dhe shpifëse, nuk do të arrijë të mbulojë humnerën në të cilën ka rënë ky pushtet – përmes aferave të vazhdueshme abuzive dhe korruptuese”, ka bërë të ditur Gjoshi.
Këshilltari i kryeministrit Kurti, Aziz Bici, ka bërë thirrje për distancim të gjithmbarshëm prej gjuhës së përdorur nga ish-kryetari i OVL të UÇK-së.
“Kjo gjuhë është e papranueshme për këdo. Veçanërisht e papërgjegjshme, e padinjitetshme dhe jokombëtare, për dikë që flet ose përfaqëson veteranët e luftës. Kryeministri i Republikës është kryeministër i të gjithëve. Është i Republikës për të cilën kemi luftuar. Nuk duhet të pajtohemi për asnjë moment, as si shoqëri e as si veteranë të luftës, që me aq lehtësi të flitet për sulme, kërcënime dhe vrasje të kryeministrit të vendit tonë. Nga gjuha e tillë duhet të distancohen të gjithë.
E avokati i Klinakut, Ramë Dreshaj, ka thënë për KOHËN se postimi i klientit të tij është nxjerrë nga konteksti dhe për këtë i ka fajësuar “disa media dhe disa shikues” që i kanë dhënë “ngjyrim tjetër”.

Ai ka bërë të ditur se pas intervistimit nga Policia, Klinaku është liruar në procedurë të rregullt.