Një raport i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED) ka konstatuar se Rusia ka ndikim në dialogun Kosovë-Serbi, ndonëse formalisht është jashtë tavolinës së negociatave.
Raporti analizon prapavijën historike të përfshirjes së Rusisë në marrëdhëniet e konfliktit midis të dyja shteteve dhe ndërhyrjen e Moskës në procesin aktual të dialogut që lehtësohet nga BE-ja.
“Rusia për herë të parë ka mbetur jashtë tavolinës së bisedimeve Kosovë-Serbi dhe ajo tashmë nuk është pjesë e këtyre bisedimeve, por shtohet pyetja a ka ndikim tani në këtë proces të negociatave edhe pse është jashtë tavolinës e, tani do të shohim se ka”, ka thënë Lulzim Peci, drejtor në KIPRED.
Sipas Pecit, nga janari i 2022-tës, pak para nisjes së agresionit në Ukrainë, Rusia e ka ndërruar diskursin ndaj Kosovës.
“Rusia fillon që t’i krahason dy rajone separatiste ruse të dominuara nga rusët, Domeskon dhe Llohanskun me pjesën veriore të Kosovës. Dhe njëkohësisht tërheq paralele në mes të marrëveshjeve të Minskut dhe marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, ka theksuar Peci.
E, profesori i juridikut, Bekim Sejdiu, ka theksuar se Rusia e përdor rastin e Kosovës për ta justifikuar luftën për aneksim të territoreve në dy ish-republika sovjetike.
“Rusia e konsideron Kosovën dhe Ballkanin, posaçërisht Kosovën si një lloj monedhe për kusuritje në përpjekjet e saj që ka për të përligjur luftën e vet agresive në Ukrainë dhe më herët edhe në Gjeorgji”, është shprehur Sejdiu.
Raporti “Ndikimi i Rusisë në dialogun Kosovë-Serbi”, përpos që analizon qëllimet e veçanta të Rusisë në procesin e dialogut, trajton edhe kryqëzimin e këtij procesi me interesat e sigurisë, ato ushtarake dhe ekonomike të Rusisë në rajon.