Pjesëtarë të KFOR-it amerikan kanë hasur në mjete të dyshuara ushtarake në një mulli të braktisur në fshatin Banjskë të Zveçanit. Në Polici bënë të ditur se bëhet fjalë për uniforma ushtarake, granata e shokbomba, të cilat janë konfiskuar. Për këtë, Prokurori i Shtetit ka iniciuar rast për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”
Uniforma ushtarake, granata dhe shokbomba kanë gjetur pjesëtarë të KFOR-it amerikan në një mulli në Zveçan, të veriut të Kosovës.
Në njoftimin e Policisë bëhet e ditur se mjetet e dyshuara janë konfiskuar mbrëmjen e së premtes në fshatin Banjskë, ku shtatorin e 2023-tës një grup i armatosur serb pati sulmuar Policinë e Kosovës.
“Policia e Kosovës është njoftuar nga KFOR-i amerikan se në fshatin Banjskë në një mulli të vjetër (të braktisur) kishin hasur në mjete të dyshimta. Njësitë policore menjëherë kanë reaguar në lidhje me këtë rast, ku më pas kanë konfiskuar mjetet e dyshimta: uniforma ushtarake, tre gjoksore për mbajtje të armatimit, një palë pantallona, tre jakne, një maicë, tri granata dore, tre karikatorë të zbrazëta, dy shokbomba, një bombë ndriçuese dhe njëzetë e tetë copë fishekë të armës së gjatë”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Për këtë rast janë nisur menjëherë hetime.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante policore. Të gjitha veprimet e ndërmarra i janë paraqitur Prokurorit të Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve’. Rasti, nën hetime”, thuhet tutje në komunikatë.
Kjo është hera e dytë brenda rreth një jave që autoritetet kosovare konfiskojnë pajisje ushtarake në veri të vendit. Më 28 shkurt, Policia e Kosovës e kreu një aksion në fshatin Rodel të Leposaviqit, ku konfiskoi uniforma ushtarake, armë dhe municion. Sipas autoriteteve, armët dhe municioni i gjetur në Leposaviq i takonin pjesëtarëve të organizatës Mbrojtja Civile - e shpallur terroriste në Kosovë.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, dhe drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, thanë më 28 shkurt se konfiskimet në Leposaviq dëshmonin se pjesëtarë të organizatës Mbrojtja Civile vazhdojnë të jenë aktivë në territorin e Kosovës.
Veriu i Kosovës vazhdon të jetë i tensionuar posaçërisht nga 24 shtatori i vitit 2023, kur një grup serbësh të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë, duke e vrarë një rreshter.
Në luftimet që pasuan u vranë tre pjesëtarë të grupit sulmues. Prej atëherë, autoritetet kosovare kanë konfiskuar armatim dhe municion në veri në raste të ndryshme.
Përgjegjësinë për sulmin në Banjskë e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Kosova e fajëson Serbinë për këtë sulm, e Beogradi zyrtar e mohon përfshirjen.
Në shtator të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 45 personave - në mesin e tyre edhe Millan Radoiçiq - për sulmin e armatosur në Banjskë.
Autoritetet në Serbi nuk pranojnë ta ekstradojnë Radoiçiqin në Kosovë dhe thonë se ai do të gjykohet nga “gjykatat serbe”, ndërsa zyrtarët në Kosovë thonë se ato i kanë ofruar mbrojtje atij.