Profesorë të Fakultetit të Edukimit Fizik e Sportiv kanë kërkuar me urgjencë të rritet fondi i orëve të edukatës fizike në shkollat e Kosovës. Sipas tyre, bazuar në një hulumtim, nxënësit kosovarë performojnë më keq sesa ata të vendeve të rajonit sa i përket sportit. Edhe sociologët vlerësojnë se mosaktiviteti fizik ndikon negativisht në shëndetin fizik e mendor te fëmijët
Mosaktiviteti sportiv e përdorimi i gjatë i teknologjisë po ndikojnë negativisht në shëndetin e fizik e mental të fëmijëve, vlerësojnë sociologët. Sipas tyre, në këto raste përveçqë fëmijët janë më pak të socializuar me bashkëmoshatarë, kjo e rrit edhe rrezikun për obezitet. Sociologu Genc Xërxa thotë se pasojë tjetër është edhe çalimi i fëmijëve në komunikim.
“Po në aspektin fizik dhe mental është mjaft negative, sepse në atë kohë fëmijët veç socializohen dhe krijojnë raporte të ndryshme të miqësisë apo socializimit që dallojnë ndoshta me raportet në familje. Në njëfarë forme piqen në mënyrë sociale. Në qoftë se kalojnë një kohë mjaft të madhe brenda tyre ajo do të shkaktojë pos pasojat e tyre në komunikim me bashkëmoshatarët e tyre, por edhe në aspektin fizik. Pra aktiviteti fizik është mjaft i domosdoshëm si në aspektin mental, ashtu edhe në shëndetin fizik”, ka thënë sociologu Genc Xërxa.
Ai e ka përmendur edhe peshën e madhe të çantave, e që, sipas tij, ndikon në aspektin fizik.
“Edhe procesi mësimor i jep pak vëmendje, një apo dy orë i kanë brenda javës edukatë fizike. Mendoj që ishte dashtë ta kenë një qasje pak më ndryshe dhe nga aspekti arsimor të kenë njerëz profesionistë të lëndës sportive, të edukatës sportive, që në atë formë të gjitha devijimet apo pasojat që mund t’i kenë në aspektin fizik mund të detektoheshin në fillim, por në anën tjetër do të identifikonin edhe talente të ndryshme”.
Çështja e edukimit fizik në shkolla është diskutuar edhe në mbledhjen e Komisionit parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport. Gjatë prezantimit të një hulumtimi nga përfaqësues të Fakultetit të Edukimit Fizik e Sportiv të Universitetit të Prishtinës, rezulton që performanca fizike e nxënësve kosovarë është 40 për qind më pak e zhvilluar në krahasim me ata të rajonit.
“Krejt po i shohim fëmijët me Ipad e telefona në dorë. Nëse i ke tri orë në javë, ai automatikisht ka me ndie lodhjen, ka me lanë pak Ipadin e telefonin anash ka me u marrë një orë me aktivitet, dikush prej tyre është talent që shkon nëpër klube. Prandaj na këto të dhëna që i kemi ofruar sot, që i ofrojmë edhe zyrtarisht, unë kisha kërkuar nga ky takim që po e shoh një mbështetje prej të gjithë juve me pas më vazhdu prapë me ardhë deri te një përfundim edhe shpejt me pru një vendim në Kuvend të Kosovës”, është shprehur dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik e Sportiv, Musa Selimi.
Ai ka theksuar se bazuar në këtë hulumtim, nxënësit kosovarë kërcejnë për 40 centimetra më pak sesa ata të Kroacisë. Sipas tij, fondi prej dy orë në javë për edukim fizik e sportiv duhet urgjentisht të rritet.
“Arsyet pse kemi kërkuar këtë takim është nevoja që të ndryshojmë gjendjen kritike te fëmijët tanë në edukim dhe sport. Në parametrat që kemi matur kemi ardhur në përfundim që me vendet e rajonit jemi shumë larg. Në hulumtimin e fundit del që 40 për qind e performancës të aktiviteteve fizike, fëmijët tanë janë më pak të zhvilluar sesa ata në vendet e rajonit. Kemi marrë mostër nga Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia dhe nga Shqipëria, që është një situatë shumë kritike, sepse sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë çdo fëmijë e ka patjetër që të ketë 60 minuta aktivitet fizik gjatë ditës”, ka thënë Selimi.
Avni Rexha nga MASHTI ka kërkuar garanci nëse shtimi i fondit të orëve do të ndikojë në performancën e nxënësve.
“Nëse i bëjmë tri orë edhe nëse bëjmë analiza, fëmijët tanë a do ta ngrenë atë kërcimin sa kroatët. A ka garanci se ky treorëshi të bëjë që të jetë efektive. Unë disa fëmijë që i njoh kërcejnë goxha lart...”.
Profesorë të Fakultetit të Edukimit Fizik e Sportiv kanë kërkuar që urgjentisht të ndërrohet kurrikula për arsimin parauniversitar dhe të shtohet fondi i orëve në këtë fushë. Por për deputetin Ardian Gola, kjo nuk është aq e thjeshtë.
“Gjithsesi kurrikula aktuale është e trashëguar. Qeverisja aktuale nuk e ka bërë këtë kurrikulë, e ka trashëguar nga qeverisjet e mëhershme. Dhe ndryshimi i kurrikulës është një projekt kolosal, për shkak se preken të gjitha lëndët. Nuk është se po e fusim një orë të edukatës fizike dhe po kryen punë. Ku po e merre atë orë. Sepse është në pyetje ngarkesa totale e nxënësve. Për mua personalisht, vetë fakti që kemi një numër tepër të madh të barnatoreve në Kosovë, që ka rritje pos me kanë si kërpudhat, është indikatori më i mirë për nivelin e shëndetit tonë”, ka theksuar deputeti nga radhët e LVV-së, Ardian Gola.
Gjatë këtij takimi është kërkuar të dihet edhe kostoja buxhetore nëse vendoset të rritet fondi i orëve për edukim fizik e sportiv.