LAJMET E MBRËMJES

Kërkohet nga Bashkimi Evropian që të hapë dyert e tij për integrim të vendeve të Ballkanit

Në kuadër të konferencës së Samitit të Ballkanit Perëndimor 2024, që u organizua në Prishtinë, kryeministri Albin Kurti e cilësoi Kosovën si lidere në rajon sa i përket rritjes ekonomike. Në këtë konferencë u kërkua nga Bashkimi Evropian që të hapë dyert e tij për integrim të vendeve të Ballkanit. E kryeministri u shpreh se Kosova ka shumë çfarë mund t’i ofrojë Evropës.

Kosova është lidere në rajon sa i përket rritjes ekonomike, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën e Samitit të Ballkanit Perëndimor 2024, të organizuar në Prishtinë.

Kurti theksoi para të pranishmëve se në tre vjetët e fundit, Kosova ka treguar sukses jo vetëm në ekonomi, por edhe në sundim të ligjit e të demokracisë.

“Vendi ynë është në krye të rritjes reale ekonomike në Ballkanin Perëndimor nga viti 2023 deri në vitin 2025, siç raportohet nga Banka Botërore, duke mbajtur pozicionin e parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ajo renditet gjithashtu e dyta në mbarë botën në përmirësimet në sundimin e ligjit, sipas Programit Botëror të Drejtësisë, dhe mban një qëndrim të fortë në të drejtat politike dhe liritë civile, duke qenë e para në Ballkanin Perëndimor, e dyta në Evropë dhe e treta globalisht sipas’ Freedom House Report’”, tha Kurti.

Në këtë samit që po mbahet në prag të Ditës së Çlirimit të Kosovës, i pranishëm qe edhe ish-sekretari i NATO-s, Lord George Robertson, i cili kujtoi luftën në Kosovës dhe intervenimin e Aleancës Veriatlantike.

“NATO-ja u detyrua të ndërmerrte veprime përsëri në vitin 1999 pasi forcat dhe paraushtarakët e Slobodan Milosheviqit tentuan spastrimin etnik të Kosovës. Në atë kohë kur isha ministër i Mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar ne kishim një qëllim të qartë. Forcat ushtarake të Milosheviqit jashtë, NATO-ja brenda dhe refugjatët nëpër shtëpi. Në i arritëm të tria qëllimet”, tha Robertson.

E duke përmendur luftërat në të kaluarën e agresionin e tanishëm rus në Ukrainë , ish-kryeministri italian, Matteo Renzi, theksoi rëndësinë për një Evropë paqësore.

Tha se kjo mundësohet duke i hapur dyert për të gjitha vendet të cilat ende nuk janë integruar në të.

“Evropa tash është vend i paqes dhe prosperitetit. Por Evropa rrezikon ta humbë këtë rol nëse nuk ndryshon në vitet e ardhshme duke i hapur dyert për të gjithë Evropën, dhe në të njëjtën kohë duke ndryshuar institucionet prej brenda. Nëse nuk ndryshon, rrezikon që Evropa të bëhet e parëndësishme krahas Amerikës dhe Kinës”, tha Renzi.

Në rrugën drejt Evropës, kryeministri Kurti tha se Kosova ka shumë për të ofruar si në aspektin e sigurisë, ashtu edhe në stabilitet, zhvillim e prosperitet.