LAJMET E MBRËMJES

Kërkohet ekspertizë e fotografive, prova të prokurorisë kundër ish-deputetit të LDK-së

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur ta rihapë shqyrtimin gjyqësor në rastin ku ish-deputeti Shkumbin Gashi akuzohet për keqpërdorim me vota. Trupi gjykues ka urdhëruar ekzaminim forenzik të dy fotografive, të cilat Prokuroria Speciale i ka prezantuar si prova që dëshmojnë kryerjen e veprës

Nuk i është dhënë epilog rastit gjyqësor në të cilin ish-deputeti Shkumbin Gashi, si dhe Sylë Balaj, akuzohen për keqpërdorim të së drejtës së votimit dhe për vjedhje të identitetit të 71 qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Austri. 

Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë ishte paraparë shpallja e aktgjykimit, por u vendos që procesi të vazhdojë.

Trupi gjykues i kryesuar nga Musa Konxheli, konstatoi se është në interes të sqarimit të rastit që të bëhet ekspertiza për dy fotografi, e në të cilat pretendohet se shihet Sylë Balaj duke plotësuar fletëvotime. 

“Duhet të nxirret edhe prova, dy fotografi – imazhe, për t’u verifikuar koha dhe vendi i shkrepjes së dy fotografive të cilat i ka kontestuar edhe mbrojtja. Gjithashtu trupi gjykues ka marrë vendim që për seancën e radhës në rihapje të ftohet edhe një përfaqësues i KQZ-së për të sqaruar disa aspekte që konsideron që janë të nevojshme për sqarim të kësaj çështjeje. Andaj trupi gjykues merr aktvendim, urdhërohet Agjencia e Kosovës për Forenzikë që të bëjë fotoekspertizën për foton me emër img. 5142-1-jpg nga dëshmia D2 e Iphone-it XS Modeli A1921 dhe të nxjerrë të gjitha atributet e mundshme rreth këtyre fotografive duke përfshirë datën, kohën e shkrepjes dhe vendin ku janë shkrepur këto dy foto”, ka thënë gjyqtari Konxheli.

Prokurori Ilir Morina, në seancën e së hënës kur është dhënë fjala përfundimtare, ka thënë se i akuzuari Balaj është në fotografinë e nxjerrë prej telefonit të tashmë të dënuarit Kastriot Blakaj. Sipas tij, në fotografi shihet i akuzuari duke plotësuar fletëvotimin. 

Për seancën e radhës që u caktua më 24 prill pritet të paraqiten dy dëshmitarë.

“Do të ftohet edhe një përfaqësues i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë si dhe një përfaqësues i KQZ-së”, ka thënë Koxheli.

Prokuroria Speciale pretendon se në periudhën janar-mars 2021, ish-deputeti Shkumbin Gashi, si dhe Sylë Balaj, bashkë me katër persona të tjerë tashmë të dënuar, abuzuan me të dhënat e 71 shtetasve të Kosovës që jetojnë në Austri, duke mbushur fletëvotimet pa pëlqimin e tyre, e në favor të rezultatit zgjedhor të Gashit, që ishte kandidat për deputet.