LAJMET E MBRËMJES

Kërkohet drejtësi për të mbijetuarat e luftim të stigmatizimit ndaj tyre

Në shënim të Ditës Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës së fundit në Kosovë, është kërkuar drejtësi e përkrahje nga shoqëria dhe institucionet për luftimin e stigmatizimit ndaj kësaj kategorie. Çështja e dhunimeve gjatë luftës do të jetë temë kyç në edicionin e dytë të forumit Ndërkombëtarë për Gratë Paqen dhe Sigurinë, e cili do të mbahet të hënën në Prishtinë

Pranë kompleksit memorial “Heroinat” në kryeqytet, të dielën u bënë nderime në shënim të Ditës Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës së fundit në Kosovë.

Dy të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, Vasfije Krasniqi Goodman dhe Shyrete Tahiri Sulimani, 14 prillin e quajtën ditë të forcës.

Tahiri-Sulimani ka kërkuar drejtësi e përkrahje nga shoqëria e institucionet.

“Iu kisha lut që të mos jetë vetëm 14 prilli me na përkrah, të na përkrahni çdo ditë se lufta nuk harrohet, krimet nuk harrohet, por nëse ato nuk i përkujtojmë ato harrohen”, ka thënë ajo.

E Krasniqi ka treguar se do të vizitojë serbët e veriut për t’iu shpërndarë libra informues mbi gratë e burrat të dhunuar gjatë luftës.

“Dua të shkojë se nuk kam qenë asnjëherë në veri të Mitrovicës, t’i tregojmë serbëve se kush kanë qenë ata para 25 vite dhe se kush jemi ne sot, që jemi të fort dhe i kemi përballu të gjitha dhunë që e kanë bërë dhe se do t’ia dalim dhe Mitrovica është e jona”, ka thënë Krasniqi.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, ka thënë se ende në familjet shqiptare nuk flitet për këtë kategori. Për të rritur vetëdijësimin ajo tregoi se ka filluar një fushatë ku do të flitet për gratë dhe burrat e dhunuar gjatë luftës.

“Ju ftojë që ta përqafoni këtë kampanjë duke kërkuar rehabilitim, shërim dhe drejtësi si obligim i secilit prej neve dhe për juve në mënyrë që ta rrisim ndërgjegjen e shoqërisë kosovare në raport me këtë krim, i cili fatkeqësisht edhe sot kur jemi mbledh këtu ende nuk flitet nëpër familje për shkak të stigmës dhe kulturës paragjykuese”, ka thënë ajo.

Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti shprehu zotimin e institucioneve të shtetit për ta mbrojtur këtë kategori.

“Ministria e Drejtësisë, Qeveria jonë, unë si kryeministër, Kuvendi i Republikës, Presidentja, mekanizmat e institucionet e shtetit janë në krye të detyrës, në mënyrë që kësaj kategorie t’i ndihmojmë dhe ta mbështesim me krejt çka mundemi e dimë. Por njëkohësisht i bëjmë ftesë edhe qytetarëve, i bëjmë thirrje gjithë njerëzve në Kosovë që ta mbështesim këtë kategori, e cila e ka edhe siç thuhet ‘kripën në plagë’ për shkak të stigmatizimit që i ka ndodhur gjatë këtyre 25 viteve”, ka thënë ai.

Mbi 20 mijë gra e burra vlerësohet se janë përdhunuar gjatë luftës, sipas një raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.  E sipas të dhënave zyrtare, nga nëntori i vitit të kaluar afër 2 mijë persona kanë aplikuar për ta marrë statusin e personit të dhunuar gjatë luftës në Kosovë. Rreth 1 600 personave iu është aprovuar statusi. Si arsye e hezitimit për të aplikuar për të marrë këtyre status është vlerësuar stigmatizimi nga shoqëria.

Marrja e statusit ua siguron përfituesve një pension prej 230 eurosh në muaj si dhe lirimin nga tatimi në pronë, përparësi në punësim dhe shërbime shëndetësore.

E çështja e dhunimeve gjatë luftës do të jetë temë kyç në edicionin e dytë të forumit Ndërkombëtarë për Gratë Paqen dhe Sigurinë, e cili do të mbahet të hënën në Prishtinë. Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se do të diskutohet në ndërtimin e sistemeve për mbrojtjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës si dhe për guximin e tyre për ta ndryshuar botën dhe për ta luftuar stigmatizimin.

Në Prishtinë do të bashkohen përfaqësues nga afër 40 shtete për të marrë pjesë në forum.

Osmani ka theksuar se gjurmët e dhunës seksuale të kryera nga ushtria dhe policia serbe vazhdojnë të rëndojnë jetën e qytetarëve edhe 25 vjet pas luftës.

“Është fakt se krimet e tilla vazhdojnë të kryhen edhe sot gjithanadej në luftëra e konflikte nëpër botë nga Ukraina e deri të Lindja e Mesme e shumë e shumë vatra të tjera të konfliktit”, ka shtuar ajo.

Ajo ka thënë se forumi sivjet ka për qëllim thirrjen për t’i dhënë fund dhunimeve gjatë zhvillimit të luftërave.

“Për të mobilizuar dhe sensibilizuar gjithë opinionin publik edicioni dytë i formumit nërkombëtar për gratë, paqen dhe sigurinë do të këtë pikërisht temë bosht çështjen e dhunës seksuale në kohë lufte”, ka shtuar Osmani.