Në seancën gjyqësore të mbajtur në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ku palët kanë dhënë fjalën përfundimtare për këtë rast, prokurori Valdet Avdiu ka thënë se kërkesa e tij është e ngjashme sikurse në shqyrtimin paraprak të këtij rasti. “Nuk kam asgjë tjetër për të shtuar, i mbetem në tërësi dhënies së fjalës përfundimtare në shqyrtim të shkuar. Përveç asaj që kemi cekur. Gjykata s’i fal besim të pandehurit, si dhe ato pretendime të pandehurit nuk qëndrojnë”, ka thënë Avdiu
Prokuroria ka kërkuar të enjten dënim meritor për Dardan Krivaqën dhe Arbër Sejdiun, të akuzuar për dhunimin dhe më pas vrasjen e Marigona Osmanit.
Në seancën gjyqësore të mbajtur në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ku palët kanë dhënë fjalën përfundimtare për këtë rast, prokurori Valdet Avdiu ka thënë se kërkesa e tij është e ngjashme sikurse në shqyrtimin paraprak të këtij rasti.
“Nuk kam asgjë tjetër për të shtuar, i mbetem në tërësi dhënies së fjalës përfundimtare në shqyrtim të shkuar. Përveç asaj që kemi cekur, gjykata s’i fal besim të pandehurit si dhe ato pretendime të pandehurit nuk qëndrojnë”, ka thënë Avdiu.
E dënim maksimal ka kërkuar Gazmend Rexhepi, avokat i familjes së Marigona Osmanit.
“Ne kërkojmë nga ju trup gjykues t’i shpallet dënim meritor, pra të akuzuarve t’u shpallet dënim me burgim të përjetshëm”, ka thënë ai.
Babai i Marigona Osmanit, Muhabi Osmani, e ka mbështetur kërkesën e avokatit dhe i ka mohuar pretendimet e të akuzuarit kryesor se e ndjera ka qenë përdoruese e lëndëve narkotike.
“Vajza ime e ndjerë, Marigona, nuk ka qenë përdoruese e lëndëve narkotike, atë të gjithë në shkollë, në shoqëri, në lagje e kanë njoftë si vajzë të mbarë”, ka thënë ai.
E Skender Musa, avokati i të akuzuarit Dardan Krivaqa, ka kërkuar që kur ta marrë vendimin, trupi gjykues t’i marrë në konsideratë rrethanat lehtësuese.
“Gjykata duhet të sigurojë prova, të analizojë provat shfajësuese dhe fajësuese dhe të respektojë të drejtat e të akuzuarve”, ka theksuar ai.
Deklaratën e avokatit të vet e ka mbështetur edhe i akuzuari Dardan Krivaqa dhe sa ka thënë se ndien keqardhje për rastin. Ndërkaq Arbnora Shefkiu, avokatja e të akuzuarit, Arbër Sejdiu, ka theksuar se asnjë provë nuk dëshmon që klienti i saj ka kryer veprat për të cilat akuzohet.
“Nga të gjitha akuzat që akuzohet Arbër Sejdiu, nuk ka prova se i ka kryer veprat për të cilat akuzohet ai, dhe asnjëherë nuk jemi munduar ta justifikojmë vdekjen e Marigona Osmanit”, ka thënë ajo.
Krahas se është pajtuar me fjalën përfundimtare të avokates së vet, i akuzuari Sejdiu nuk ka deklaruar diçka në fjalën përfundimtare.
Shpallja e aktgjykimit lidhur me rastin është caktuar për datën 29 korrik.
Gjykata Themelore e Ferizajt më 4 gusht të vitit të shkuar e ka dënuar me burgim të përjetshëm Krivaqën, porse Gjykata e Apelit më pas ka vendosur që rastin ta kthejë në rigjykim.