LAJMET E MBRËMJES

KE-ja i kërkon Kosovës të sigurojë afat të mjaftueshëm për zëvendësimin e dinarit

Komisioni Evropian u është bashkuar Shteteve të Bashkuara e vendeve të QUINT-it në kritikën ndaj Kosovës lidhur me Rregulloren e BQK-së që e parasheh përdorimin vetëm të euros për pagesa. Zëdhënësi Eric Mamer ka shprehur keqardhjen e Komisionit për vendimin tek ka kërkuar që Kosova të sigurojë periudhë mjaftueshëm të gjatë për zgjidhjen e çështjes nëpërmjet dialogut

Edhe Komisioni Evropian u është bashkuar të premten thirrjeve që janë dëgjuar më parë nga administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga vendet e QUINT-it dhe nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, që Kosova të sigurojë një afat mjaft të gjatë kohor për përshtatjen e të gjithëve për implementimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për të qenë vetëm në qarkullim valuta e euros.

Këtë e ka thënë në Bruksel, Eric Mamer, zëdhënësi kryesor i Komisionit Evropian, duke folur në një konferencë për gazetarë.

“Komisioni shpreh keqardhje për faktin se ky vendim ishte miratuar pa konsultime paraprake, duke marrë parasysh pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve në Kosovë dhe komuniteteve tjera përgjatë Kosovës”, ka deklaruar Mamer.

Komisioni Evropian, sipas zëdhënësit, është posaçërisht i shqetësuar për ndikimin që mund të ketë në shkolla dhe spitale, duke marrë parasysh se nuk ka alternativa të tjera. Prandaj kanë thënë se në këtë moment Komisioni e mbështet deklaratën e lëshuar dje nga përfaqësuesi i lartë nëpërmjet zëdhënësit të tij dhe se tutje Komisioni merr në dijeni edhe vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për të lejuar një fazë të duhur transicioni.

Komisioni kërkon që Kosova të sigurojë që ky afat transitor të jetë mjaftueshëm i gjatë për të gjetur një zgjidhje të negociueshme në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, ka thënë ky zëdhënës.

Ai është përgjigjur edhe në pyetjet se përse Bashkimi Evropian po e kritikon një vend që përdor euron dhe vendimin e një institucioni të pavarur, siç është Banka Qendrore e Kosovës.

“Nuk duhet të keqinterpretohet deklarata jonë. Nuk e kemi kritikuar Kosovën për vendosjen e euros apo vendimin se cila valutë duhet të përdoret. Kemi komentuar vetëm faktin se ky vendim ishte miratuar pa konsultime paraprake. Sepse në këtë moment keni njerëz, institucione, përfshirë edhe spitale të cilat veprojnë në një kornizë, duke marrë asistencë financiare nga Serbia, dhe ato duhet të kenë kohë të mjaftueshme që të përgatiten”, ka arsyetuar ai.

Sipas zyrtarëve të BE-së, që nga fillimi ka qenë e qartë se ky vendim do të ketë ndikime negative dhe prandaj kanë kërkuar nga Kosova që absolutisht të adresohet kjo çështje në dialog, para se të shpallej vendimi në mënyrë që të arrihet një zgjidhje praktike.

Sipas zyrtarëve të Komisionit Evropian, nuk vihet në pikëpyetje e drejta e Bankës Qendrore të Kosovës për të miratuar vendime të tilla, por ata thonë se mënyra dhe koha siç është bërë nuk është e duhura.