Me katër vjet burgim është dënuar të enjten Arsim Limani, i akuzuar për veprën penale “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”, pasi që Gjykata Themelore në Prishtinë ka konstatuar se ai e ka djegur me benzinë garazhin e gazetarit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), Alban Selimi, më 16 shkurt të 2023-tës.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë më 18 gusht të vitit të kaluar duke e akuzuar Limanin për vrasje në tentativë, ndërsa trupi gjykues e ka ricilësuar veprën penale në aktgjykimin e shpallur të enjten.
Medie Bytyqi, kryetare e trupit gjykues, e ka shpallur Limanin fajtor për veprën penale që i vihet në barrë, bazuar në nenin 356, paragrafi 1, i Kodit Penal.
“Andaj gjykata të njëjtin e gjykon me dënim me burgim prej katër vjetësh, duke e llogaritur edhe dënimin e shqiptuar, edhe kohën e kaluar në masën e paraburgimit dhe atë të arrestit shtëpiak nga data 18 mars 2023 deri më datën 15 shkurt 2024”, ka thënë Bytyqi.
I pakënaqur me vendimin e shqiptuar, gazetari Selimi ka shprehur shqetësim lidhur me moszbardhjen e tërësishme të rastit.
“Ajo që dihet është që personi tashmë i dënuar për veprën penale nuk ka treguar se cili ka qenë motivi dhe shtytësi i kësaj i vepre dhe kjo do te jetë një dilemë që do të më përcjellë. Dihet që hetuesia e ka humbur një CD gjatë procesit gjyqësor dhe po shpresoj që prokuroria e shtetit të hetojë atë pjesë dhe të dihet cila ishte arsyeja që humbi CD-ja një proces kaq të ndjeshëm kur sulmohet një gazetar”, ka theksuar ai.
Kujtim Kërveshi, përfaqësues ligjor i Selimit, ka thënë se vendimi është ai që është pritur dhe se është i merituar.
“Mendoj që është dënim i merituar, besoj që është një kulturë e vendosjes edhe në kuptim të mbrojtjes së lirisë së fjalës dhe punës si media në opinion, kushdo që dëshiron të sulmojë lirinë e shprehjes do të përballet me dënime të tilla”, ka thënë avokati Kërveshi.
Lidhur me sulmin ndaj pronës së Selimit pati reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ndërsa Selimi vazhdimisht ka hedhur dyshime se ngjarja ka qenë e ndërlidhur me punën e tij si gazetar.
Gazetarin e RTK-së, Alban Selimi, gjykata e ka referuar në kontest civil për ta kërkuar dëmshpërblimin që i takon.