LAJMET E MBRËMJES

Katër qytetarëve serbë u digjen pronat, për motive që lidhen me targat

Një taksist nga Zubin-Potoku prej vitesh ka punuar me veturën e tij, që mban targat RKS. Por, ajo i është bërë shkrumb e hi në orët e para të së mërkurës. Policia tha se motivet e djegies së kësaj veture lidhen me targat, meqë përfaqësues të serbisë dhe ata të veriut kanë bërë thirrje që serbët të mos i binden vendimit të qeverisë për t’i konvertuar në RKS targat ilegale. Ambasadori amerikan tha se e dënon këtë akt dhe çdo përpjekje për të frikësuar ata që kanë targat RKS

Në orët e para të së mërkurës i është bërë shkrumb e hi vetura Bojan Bozhoviqit.

Ky taksist nga Zubin-Potoku prej vitesh ka punuar me veturën e tij, që mban targat RKS. E, ai banon në një komunë, qytetarëve të së cilës Beogradi zyrtar dhe përfaqësuesit lokalë u kanë bërë thirrje të mos i konvertojnë në RKS targat e lëshuara nga Serbia.

Bozhoviqi thotë se sikur të mos intervenonin zjarrfikësit ka mundur ta pësonte edhe gjithë familja.

“Unë vozita njerëzit tanë dhe ushqeva familjen time. Kam vozitur me RKS, sepse vozis ekskluzivisht në jug të lumit Ibër. As që më shkoi në mendje që ekzistojnë njerëz që do të dëmtojnë familjen time dhe do të traumatizojnë fëmijët e mi, të cilët kanë parë mbrëmë makinën në flakë, e nëse nuk do të ndërhynin zjarrfikësit me kohë atëherë do të ishin djegur të gjithë”, ka thënë Bozhoviq.

Policia e Kosovës e ka konfirmuar rastin dhe ka theksuar se motivet e djegies së veturës së Bozheviqit, lidhen me targat.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore në hetimin dhe zbardhjen sa më parë të këtij rasti dhe të rasteve të tjera të zjarrvnieve, të ndodhura dhe të orientuara ndaj pronave private, kryesisht ndaj veturave të regjistruara me targa lokale RKS”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Ndaj djegies së veturës së Bozheviqit ka reaguar ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e i cili ka përsëritur kërkesën ndaj Qeverisë për ta shtyrë zbatimin e vendimit për targat edhe 10 muaj.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë djegien ose shkatërrimin e pronës dhe çdo përpjekje për të frikësuar ata që kanë targat RKS ose që synojnë të marrin targa të veturës RKS sipas ligjit të Kosovës. Këto janë vepra frikacake dhe kriminale. Ne ritheksojmë kërkesën tonë për një zgjatje të plotë të periudhës së zbatimit në mënyrë që tabelat RKS të mund të vendosen gjatë 12 muajve duke pohuar se Kosova ka të drejtë ta zbatojë këtë ndryshim”, ka thënë ai.

Gjatë dy muajve prej kur ka nisur të zbatohet vendimi i Qeverisë, pronarë të rreth 20 automjeteve me targa ilegale, nga diku 10 mijë sa vlerësohet se janë në qarkullim, i kanë konvertuar ato në RKS. Tre prej këtyre pronarëve u janë djegur patundshmëri, e rasti i Bozheviqit përbën rastin e katërt.