Dhjetëra kardiologë të Qendrës Klinike Universitare protestuan duke kërkuar shkarkimin e drejtorit të Klinikës së Kardiologjisë, Lulzim Kamberi dhe shefit të Njësisë Koronare, Artan Ahmeti. E bënë këtë në Ditën ndërkombëtare të zemrës
Në Ditën botërore të zemrës kanë protestuar dhjetëra doktorë të Klinikës së Kardiologjisë, të cilët të premten kërkuan shkarkimin e menaxhementit aktual të klinikës.
Në protestën njëorëshe, ata ekspozuan nëpërmjet pankartave, akuza për diskriminim gjinor, profesional e edukativ, për mbrojtje të dhunuesve nga menaxhmenti e për diskriminim të pacientëve nga lista e pritjes.
Kardiologia dhe njëkohësisht udhëheqësja e këshillit organizativ për këtë protestë, Aurora Bakalli, përmendi arsyet për të cilat sipas saj, duhet të shkarkohen drejtori Lulzim Kamberi dhe shefi i Njësisë Koronare, Artan Ahmeti.
“Për shkak të ikjes së vazhdueshme nga përgjegjësia profesionale, mungesës së transparencës për shumë gjëra, duke përfshirë edhe listën e gjatë të pritjes së pacientëve”, ka thënë Bakalli.
Ajo ka theksuar se është takuar me drejtorin e përgjithshëm i SHSKUK-së, Elvir Azizi, por se deri tash nuk ka përmbushur kërkesat e kardiologëve të pakënaqur.
E ish-drejtori i Klinikës së Kardiologjisë, Imri Jashari, për të cilin në të kaluarën kishte pakënaqësi po ashtu nga stafi shëndetësor, tha se rasti i tij nuk krahasohet me situatën aktuale.
“Arsyeja e vetme që unë shkarkohem ka qenë për mosgjetjen e mjekëve në Njësinë Koronare dhe me një hap tjetër bëhet drejtor, po i njëjti që nuk ka qenë prezent në Njësinë Koronare”, ka thënë Jashari.
KOHA ka provuar të marrë qëndrim nga drejtori i Klinikës së Kardiologjisë, Lulzim Kamberi, por ai nuk u është përgjigjur thirrjeve telefonike.
E shefi i Njësisë Koronare, Artan Ahmeti, ia ka ofruar KOHËS një dokument të Komisionit Disiplinor, përmes të cilit ai nuk është gjetur si i përfshirë në ndonjë rrahje fizike, siç pretendojnë grupi i kardiologëve të pakënaqur. Sipas këtij vendimi, ka mungesë provash që do ta vërtetonin në mënyrë të drejtë pretendimin.
E, Ahmetit ka theksuar se këta doktorë nuk janë komodë për shkak që, siç ka thënë, janë mësuar të paguhen pa punuar.
“Ata që janë të fundit nga numri i procedura në Kadiologji Invazive, akuzojnë prirësit e këtyre procedurave për rritjen e listës së pritjes, në kohën kur Kardiologjia invazive ka shënuar rekorde si asnjëherë me parë”, ka thënë Ahmeti. “Ata që në kohën e Covid-19 kanë kujdestaruar në reparte fiktive pa asnjë pacient (abuzim me buxhetin e Kosovës), sigurisht që nuk ndihen komodë tani me ketë fluks të punës që po bëhet në Klinikën e Kardiologjisë”.
Kardiologjia historikisht është përballur me probleme të brendshme të stafit që vazhdimisht ka sfiduar funksionimin normal të klinikës.