LAJMET E MBRËMJES

Kancelari gjerman do integrim të shteteve të rajonit dhe normalizim të raporteve Kosovë-Serbi

Në Ditën e Evropës kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka mbajtur një fjalim në Parlamentin Evropian, gjatë të cilit tha se duhet mbajtur premtimi për anëtarësim ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Gjatë fjalës së tij Scholz iu referua edhe dialogut Kosovë-Serbi.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka bërë thirrje të martën që Bashkimi Evropian të mbajë premtimet ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilave para më shumë se 20 vjetësh u kishte premtuar integrim në BE.

Scholz ka thënë se mosrealizimi i këtij premtimi e dëmton seriozisht kredibilitetin e Bashkimit Evropian.

Kancelari gjerman ka mbajtur në seancë plenare të Parlamentit Evropian një fjalim për vizionin e tij për të ardhmen e Evropës, pikërisht në ditën kur shënohet Dita e Evropës.

Scholz ka thënë se Evropa duhet të jetë gjeostrategjike dhe më e zgjeruar. Ai ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të hapet edhe ndaj të tjerëve dhe realizimin e idesë së vazhdimit të zgjerimit e ka parë si të rëndësishme edhe për rritjen e ndikimit të Bashkimit Evropian në botë.

Në fjalimin e tij kancelari gjerman ka bërë thirrje që të vazhdohet procesi i normalizimit të raporteve edhe mes Kosovës dhe Serbisë.

E Kosova e Serbia janë pjesë edhe e një debati që zhvillohet sot në seancë plenare të Parlamentit Evropian dhe për të cilat do të votohet rezoluta nesër.

Në tekstin e këtyre dokumenteve, që ishte miratuar në formën e draftit në Komisionin për Politikë të Jashtme, edhe Kosova e edhe Serbia janë ftuar që të përmbushin të gjitha obligimet nga dialogu dhe të vazhdojnë në mënyrë konstruktive dialogun për normalizimin e raporteve. Ky normalizim, sipas Parlamentit Evropian, duhet të arrihet përmes njohjes së ndërsjellë.

Sa i përket raportit për Kosovën, Parlamenti Evropian edhe kësaj radhe bën thirrje për pesë vendet e Bashkimit Evropian të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka paraqitur një amendament në tekstin e rezolutës për Serbinë, ku kërkon që të shprehet zhgënjim me votimin e Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës që, sipas saj, është shkelje e marrëveshjes së arritur nga liderët në takimin e Ohrit më 18 mars. Po ashtu, ajo ka propozuar që me rezolutë të mirëpritet edhe pajtimi i palëve për deklaratën për të zhdukurit.

Votimi për rezolutat për Kosovën dhe Serbinë do të zhvillohet nesër dhe këto do të jenë rezolutat e fundit për këto dy vende, në përbërjen e tashme të Parlamentit Evropian, pasi pas një viti do të zhvillohen zgjedhjet evropiane dhe do të zgjidhen zyrtarët e tjerë që do të përfaqësojnë vendet anëtare në Parlamentin Evropian.