LAJMET E MBRËMJES

Kallas: BE-ja po analizon gabimet për t’i dhënë shtytje të re dialogut Kosovë-Serbi

Bashkimi Evropian po rishikon qasjen e tij në dialogun Kosovë-Serbi, për të kuptuar se çfarë ka funksionuar dhe çfarë jo në këtë proces, ka deklaruar përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, e cila gjatë vizitës së saj në Mal të Zi theksoi se një shtytje e re është e nevojshme për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, si parakusht për integrimin në BE.

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka thënë se BE-ja po analizon gabimet dhe atë se çfarë shkon e çfarë jo në procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ajo pas takimit të hënën në Podgoricë me kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajiq, ka thënë se bashkë me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, po e analizojnë ecurinë e deritanishme në dialog. 

“Pra, ajo që po bëjmë gjatë këtij muaji është të ulemi me përfaqësuesin special për t’i analizuar me të vërtetë gabimet që janë bërë gjatë rrugës, çfarë funksionon, çfarë nuk funksionon, për t’i dhënë një shtytje të re këtij procesi të normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve”, ka thënë Kallas.

Kallas ka ripërsëritur se Kosova dhe Serbia, për t’u anëtarësuar në BE, duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet.

“Është një proces që po vazhdon. Ne kemi përfaqësuesin e ri të BE-së  për dialogun Beograd-Prishtinë dhe po ulemi me të për të parë se çfarë funksionon dhe çfarë jo. Për ne, i rëndësishëm është normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, sepse pa të, asnjëra nuk mund të ecin përpara në rrugën drejt BE-së”, ka shtuar ajo.  

Me gjithë dialogun e zhvilluar ndër vite dhe nënshkrimin e marrëveshjeve, procesi ka ngecur dhe tensionet janë rritur.

Nën ndërmjetësimin e BE-së, në vitin 2023 Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. Por, prej atëherë, blloku i ka kritikuar ato të dyja vendet se nuk e kanë zbatuar marrëveshjen pavarësisht se ajo është e detyrueshme për to.

Kallas, në një intervistë për REL-in më 2 prill, ka thënë se Bashkimi Evropian është i interesuar për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, qoftë përmes dialogut apo ndonjë instrumenti tjetër.

“Ndoshta është dialogu, ndoshta është një tjetër mjet. Jam e gatshme ta shqyrtoj këtë çështje, dhe do ta bëj këtë së bashku me përfaqësuesin e Posaçëm [për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen] në ditët në vijim”, kishte thënë Kallas.

Për shkak të krizave në veriun e Kosovës, që rritën tensionet mes dy vendeve, që nga shtatori i vitit 2023 në Bruksel nuk është zhvilluar asnjë rund i dialogut politik, por ka pasur vetëm bisedime në nivel të kryenegociatorëve.

Ndërkohë, shefja e Politikës së Jashtme të BE-së po e zhvillon vizitën e parë në Ballkanin Perëndimor prej kur mori këtë post, në fillimvit. 

Përpos Malit të Zi, ajo do t’i vizitojë Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën. 

Në Tiranë, përfaqësuesja e lartë Kallas të martën do të takohet me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, Kallas do të hapë zyrtarisht Dialogun e parë të Sigurisë BE-Shqipëri. 

Në Bosnjë-Hercegovinë, Kallasi do t’i vizitojë trupat e misionit të BE-së, EUFOR, dhe do të takohet me anëtarët e Presidencës. Po ashtu do të zhvillojë takime me kryeministren Borjana Kristo dhe ministrin e Jashtëm, Elmedin Konakoviq.

Gjatë këtij turneu ballkanik, Kallas nuk ka paralajmëruar vizitë në Kosovë dhe Serbi.