Ish-pjesëtari i UÇK-së, Shefqet Kabashi, e nisi dëshminë para Dhomave të Specializuara në Hagë, në rastin ku ish-udhëheqës të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së po akuzohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Ai theksoi se pati marrë urdhër për të kryer tri vrasje dhe se në kohën kur e mori këtë urdhër e ka parë Rexhep Selimin në Jabllanicë. Kabashi ka qenë dëshmitar i Prokurorisë edhe në rastin e Fatmir Limajt e Ramush Haradinajt, dhe më 2011 ishte dënuar me dy muaj burgim për shpërfillje të Tribunalit të Hagës
Ish-pjesëtari i UÇK-së, Shefqet Kabashi, e nisi të martën dëshminë e tij në Gjykatën Speciale në Hagë, në rastin ku të akuzuar janë ish-udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare.
Kabashi, që më herët u pati dënuar për shpërfillje të Tribunalit të Hagës në rastin e Ramush Haradinajt, tha se më 1998 ishte urdhëruar të vriste tre persona.
Ai tha se në ditën kur e pati marrë këtë urdhër, në Jabllanicë e ka parë Rexhep Selimin, njërin nga të akuzuarit në rastin e njohur si “Thaçi dhe të tjerët”.
“A keni bërë ndonjë bisedë për uniformën e zezë me ndokënd kur u kthyet në Jabllanicë?” – pyeti prokurori Nathan Quick.
“Po”, tha dëshmitari Kabashi.
“Me kë e keni bërë këtë bisedë”, tha prokurori Quick.
“Ka qenë Rexhep Selimi, ai ishte me të tjerë në Jabllanicë, në oborrin e përparmë të bazës. Ai e njihte uniformën që u përket “Tigrave të Zi”, njësi që ishte krijuar në Drenicë. E ai më tha që kjo uniformë i përket dikujt tjetër dhe do të ta marr, dhe kur i shpjegova se kush jam dhe se kush ma kishte dhënë tha: Ah e kuptoj dhe e di”, tha Kabashi.
Dëshmitari tha se urdhrin për vrasjen e Fadil Gashit dhe Din Berishës e ka marrë nga Alush Agushi, ish-pjesëtar i UÇK-së, dhe se ishte munduar që t’ua përçonte atyre se ishin në rrezik, pasi që, siç tha, nuk donte të përfshihej në vrasje politike.
“Jam rritur si shqiptar dhe ne nuk i bëjmë këto gjëra. Nuk e vrasim njëri-tjetrin se kemi besime të ndryshme pa urdhër gjykate, pa drejtësi të vrasësh dikë thjesht se ai ka mendim ndryshme dhe kjo po ndodhte në atë kohë... Menjëherë pasi mora urdhrin, është një rrugë që lidh Jabllanicën ku unë shërbeja dhe ku jeton Fadil Gashi, është një rrugë që shkon nga Klina në Gjakovë. Në atë kohë ishte në kontrollin tonë, por pas ofensivës e morën nën kontroll serbët... Arsyetimi im ishte që nuk mund të shkoja në atë zonë tani, sepse është e rrezikshme”, tha Kabashi.
Krahas tyre, Kabashi theksoi se mori urdhër që ta vriste edhe ish-deputetin tanimë të ndjerë të Kuvendit, Rrok Berisha.
Kabashi po e vazhdon ende dëshminë, nëpërmjet videolidhjes. Transmetimi i seancës u përcoll me probleme teknike rreth përkthimit nga anglishtja të dëshmisë së tij. Kabashi tha se dëshminë do ta japë në anglishte, me justifikimin e problemeve në përkthim të dialektit nga Kosova.
Më 16 shtator të 2011-s, Kabashi ishte dënuar me dy muaj burgim nga Tribunali i Hagës shkaku i shpërfilljes së gjykatës, pasi pati refuzuar të përgjigjej në pyetjet që i parashtroheshin gjatë shqyrtimit gjyqësor në rastin Haradinaj.