Emisari i ri i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, do të vizitojë Kosovën javën e ardhshme. Vizita pritet që të nisë të hënën e të përmbyllet të mërkurën. E një prej temave të para që mund të diskutohet gjatë vizitës së tij është ajo e zbatimit të Deklaratës për të Pagjeturit
I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, pritet të qëndrojë në Kosovë, javën që vjen, më saktësisht nga data 17 deri më 19 mars, në vizitën e tij të parë prej kur mori këtë post duke e zëvendësuar paraardhësin e tij, Miroslav Lajçak.
Sorensen do të vizitojë Kosovën për të përgatitur vazhdimin e procesit të dialogut, në kuadër të së cilit për muaj nuk ka pasur lëvizje.
Ndër temat e para që do të mund të diskutoheshin gjatë vizitës së tij është edhe zbatimi i Deklaratës për të Pagjeturit, për të cilën palët kishin rënë dakord por takimi i fundit në Bruksel në nivel të ekspertëve kishte dështuar që të zhvillohet por që të sjellë ndonjë rezultat.
Nga ana tjetër, përfaqësuesja e re për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka thënë para disa javësh se gjatë këtij muaji do të shikojnë se si do të ecet përpara në procesin e dialogut, duke përmendur po ashtu edhe faktin se ka kritika ndaj formatit të deritashëm të këtij procesi.
Në BE vazhdojnë të thonë se nuk do të heqin dorë nga kërkesat që si Kosova ashtu edhe Serbia të përmbushin të gjitha obligimet e tyre që dalin nga procesi i deritashëm i dialogut e kjo përfshinë edhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tash.
Diplomatët në BE janë kureshtar për të parë se si do t’i qasen këtij procesi - përfaqësuesja e Lartë, Kaja Kallas dhe i Dërguari i Posaçëm, Peter Sorensen. Por të njëjtit thonë se në këtë moment përderisa është e paqartë se kur dhe si do të formohet qeveria e re në Kosovë, ndërsa që situata edhe në Serbi është sfiduese me protestat e studentëve dhe me një qeveri formalisht në dorëheqje, nuk është reale që të pritet ndonjë progres në procesin e dialogut.
Kosova dhe Serbia së paku vazhdojnë të thonë në BE se kishin arritur në muajin shkurt të vitit 2023 në Bruksel marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe më vonë një takim në Ohër edhe aneksin për implementimin e saj. Por dy vjet më vonë nuk ka asnjë lëvizje në zbatimin e kësaj.