LAJMET E MBRËMJES

Jamie Shea fton NATO-n ta forcojë bashkëpunimin me Kosovën

Jamie Shea

Thirrje për thellim të partneritetit me Kosovën, i ka bërë NATO-s, ish-zëdhënësi i kësaj aleance politiko-ushtarake, Jamie Shea. Sipas tij, për ta arritur qëllimin e anëtarësimit në NATO, Qeveria e Kosovës duhet të krijojë marrëdhënie të mira me zyrtarët në administratën e re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe me ata në Bruksel

Ish-zëdhënësi i NATO-s në periudhën e luftës, Jamie Shea, i ka bërë thirrje aleancës veri-atlantike që të thellojë partneritetin me shtetin e Kosovës.

Në një intervistë për Kosovapress, Shea ka thënë se NATO-ja duhet të sigurohet që procesi i anëtarësimit të Kosovës të mos stagnohet.

“Kam thënë vetë, si një ish-punonjës i NATO-s, se shpresoj që NATO-ja të thellojë partneritetin me Kosovën, të bëjë më shumë gjëra, më shumë trajnime, më shumë reforma në sektorin e sigurisë, më shumë pajisje, më shumë ndërveprimshmëri, që Forcat e Sigurisë të Kosovës të duken gjithnjë e më shumë si një forcë e NATO-s, të diskutohet për formën e ardhshme të atyre forcave. Nuk e di kur Kosova do të bashkohet me NATO-n. Por unë jam një mbështetës i madh i atij drejtimi. Dhe mendoj se gjëja kryesore është që të mos humbasim kohë, të mos stagnojmë dhe të sigurohemi që hapat, hap pas hapi, Kosova vazhdon të afrohet me NATO-n, duket më shumë si një aleat i NATO-s me kalimin e ditëve”, ka thënë Shea.

Për të arritur qëllimin e anëtarësimit në NATO, sipas Sheas, Qeveria duhet të krijojë marrëdhënie të mira me zyrtarët në administratën e re të SHBA-së.

Po ashtu ka theksuar se Qeveria duhet t’i forcojë marrëdhëniet edhe me Bashkimin Evropian, meqë sipas tij janë zbehur, pas pakënaqësive në Bruksel për mënyrën se si Qeveria Kurti trajtoi situatën në veri të Kosovës.

“Duhet të jemi të sinqertë, besimi u prish pak në qeverinë e fundit, në administratën e fundit të BE-së, veçanërisht në lidhje me mënyrën se si Prishtina e trajtoi situatën në veri. Disa nga deklaratat që u bënë, disa nga komunikimet që u bënë. Por unë them në çdo intervistë se kjo nuk ka kuptim, sepse miqtë e Kosovës janë në Bruksel. Përgjithësisht, Kosova ka një të ardhme evropiane. Integrimi i saj në Evropë është i domosdoshëm. Kjo është ajo që populli i Kosovës do. Prandaj nuk mund të kesh një grindje me miqtë tuaj. Grindemi me armiqtë, jo me miqtë. Dhe kështu që shpresoj, përsëri, që tani mund të kemi një fillim të ri”, ka thënë Shea.

Shea ka thënë se presidenti amerikan, Donald Trump, po reflekton fokus më të madh në çështjet ekonomike, andaj nuk është e qartë tash për tash nëse do të reduktojë forcat ushtarake amerikane në Kosovë. Megjithatë, u shpreh se prania e trupave amerikane është me rëndësi, sepse e mban fokusin amerikan në sigurinë e Kosovës.